zoom

Aktualitet

Shiste kokainë të ndarë me doza në Vlorë, “Tempulli 2” prangos 36-vjeçarin

Policia e Vlorës njoftoi se ka përfunduar me sukses operacionin e koduar “Tempulli 2”. Në kuadër të operacionit, në pranga ra një 36-vjeçar, me doza kokaine të gatshme për shitje.

Ndërhyrja u bë nga agjentët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve operative për një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në doza. 36-vjeçari u kap në flagrancë në lagjen “Muradie”, me doza kokaine të gatshme për shitje.

“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike, në lagjen “Muradie”, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 36 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë, të ndara në doza, gati për shitje”, tha policia vendore.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 36-vjeçari siguronte lëndë narkotike në sasi dhe më pas i ndante në doza, të cilat i shiste në lagje të ndryshme të Vlorës. Dosja i kaloi prokurorisë vendore, për hetime të mëtejshme. /ZOOM.AL/