zoom

Aktualitet

SHIFRAT: 1 në 4 të rinj në Shqipëri, as punon dhe as shkollohet

Tradicionalisht, shumica e të rinjve fillojnë të angazhohen në një marrëdhënie pune vetëm pasi kanë përfunduar arsimin e lartë dhe rrallëherë e kombinojnë arsimin me punësimin. Vitet e fundit, ky tranzicion është bërë më i zgjatur dhe gjithnjë e më i paparashikueshëm, me të rinj që ndërrojnë punë më shpesh dhe kërkojnë më shumë kohë për t’u vendosur në tregun e punës. Nga ana tjetër, ka të rinj të cilët as nuk punojnë e as nuk shkollohen, ose trajnohen, dhe kjo kategori njihet si NEETs.

Shifrat më të fundit të tregut të punës të publikuara nga Instituti i Statistikave për vitin 2021 tregojnë se të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç në Shqipëri, të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, përbëjnë 26,1 % të të rinjve gjithsej, ose thuajse 1 në 4 të rinj. Në këtë grup, 37,3 % e të rinjve janë të papunë.

Por, sa është kjo normë në vendet e tjera të Europës. Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat për të rinjtë e moshës 20-34 vjeç në Bashkimin Europian, shkalla e atyre që konsiderohen si NEETs është 14.3%, pra rreth 11.8 pikë përqindje më e ulët se në vendin tonë.

Gjithsesi, ndryshe nga Instat, metodologjia e Eurostat i referohet një grupmoshe disi më të madhe, 20-34 vjeç, kundrejt 15-29 vjeç. Në Europë, vetëm Italia, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Italia regjistrojnë një normë më të lartë se vendi ynë.

Sipas vendbanimit, në BE, përqindja e të rinjve (20–34 vjeç) as në shkollë, as në marrëdhënie punësimi rezulton më e ulët në qytete 16,0 % sesa në periferi 18,9% dhe zonat rurale 18,8 %. Sipas shteteve anëtare të BE-së shohim se variacioni është i lartë. Për personat e moshës 20-34 vjeç, normat më të ulëta në vitin 2021 regjistrohen në Suedi, Hollandë dhe Islandë, me 6.4%, 6.6% dhe 7.9% respektivisht.

Nga krahu tjetër norma të larta regjistrohen në: Itali (24,4 %), Rumani (21,4%) dhe Greqi (20,5 %), ku një e katërta ose më shumë e të gjithë të rinjve të moshës 20-34 vjeç nuk janë as në marrëdhënie pune, as në arsim ose trajnim profesional./monitor/