zoom

Aktualitet

E rëndë në Tiranë, gjenden të vdekura 2 vajza ukrainase te “Selvia”. Policia dyshon se…

Dy vajza ekstrakomunitare janë gjetur të vdekura sot në Tiranë, në rrethana dhe motive që po hetohen nga Policia dhe ekspertët. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së “Selvisë”, teksa u konstatua në orët e pasdites.

Burime zyrtare thanë se paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje nëpërmjet mbidozës së ilaçeve. Viktimat janë nga Ukraina, 25 dhe 40 vjeçe, që besohet se ndodheshin si turiste në Shqipëri, por ende pritet konfirmim për detajet. Dyshohet se dy vajzat kanë konsumuar mbidozë ilaçesh.

“Më datë 10.05.2024, rreth orës 13:35, në Rrugën e Dibrës, në banesë, janë gjetur nga shoqja e tyre e dhomës, pa shenja jete shtetaset ukrainase A. K., 25 vjeçe dhe A. L., 40 vjeçe.

Paraprakisht dyshohet se dy shtetaset kanë humbur jetën për shkak se kanë konsumuar mbidozë ilaçesh me përmbajtje lëndësh narkotike. Është ngritur grupi hetimor së bashku me ekspertë të ADN-së dhe Ekspertimeve Biologjike pranë Institutit të Policisë Shkencore të cilët ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia zyrtarisht.

Motivet mbeten ende të paqarta, nëse ka qenë një akt flijimi dhe vendim ekstrem i marrë bashkë nga vajzat, apo kanë pirë aksidentalisht dozën e ilaçeve. Policia po heton edhe për faktorë të tjerë të jashtëm, por aktualisht besohet se dyshimet e arsyeshme janë për flijim në gjendje depresive.

Lajmi mbetet në përditësim, për detaje dhe prova të tjera hetimore, që do zbardhin plotësisht vdekjen e dyfishtë. Pas veprimeve hetimore paraprake do njoftohen edhe ambasada respektive për të kontaktuar familjet dhe kryer procedurat standarde në Morg dhe të përcjelljes apo tërheqjes së trupave nga Mjekësia Ligjore. /ZOOM.AL/