zoom

Lajme

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Talat Xhaferri: Të lira, të drejta dhe demokratike!

Kryeministri i qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferri, në një vlerësim për zgjedhjet u shpreh se procesi ishte i lirë, paqësor, i drejtë dhe demokratik në të dy raundet.

“Kemi kontribuar në sjelljen evropiane të vendit, i cili aspiron të jetë anëtar i BE-së”, tha Xhaferri në konferencën e mbajtur sot për mediat. Ai theksoi se këto zgjedhje do të përmenden si shembull se si mund dhe duhet të bëhen që të jenë në interes të qytetarëve dhe shtetit.

“U angazhova para qytetarëve se do të mundësojmë shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Ky është një obligim i besuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe unë si Kryeministër dhe Qeveria e kemi përmbushur në vazhdimësi. Fjalët e mia konfirmohen nga urimet dhe shprehjet e respektit të partnerëve tanë evropianë. Nëse me diçka vlerësohen kapacitetet evropiane dhe demokratike të një qeverie, atëherë janë zgjedhjet”, tha Xhaferi.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për institucionet dhe qytetarët sepse, siç tha, kanë mbajtur përgjegjësitë e tyre dhe kanë kontribuar në përpjekjet e shtetit për të përparuar sipas vlerave evropiane. /ZOOM.AL/