Aplikacion
Për artdashësit, në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe në Teatrin e Operas dhe Baletit do të luhen disa vepra.
Nesër në orën 19:00, në skenë në TKOB do të vihet “La Boheme”, një opera që çon prapa në kohë, Paris, 1840, dy të dashuruar me një fund tragjik.
Vepra e Puçini-t bazohet në novelën e shkrimtarit Henri Murger, “Scènes de la vie de bohème”. “La Boheme” është një operë me katër akte, me libret të Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica.
E njëjta opera do të shijohet edhe në datën 17, 19 dhe 20 prill, në orën 12:00.
Ndërsa në skenën e teatrit “Kujtim Spahivogli” do të luhet më 19 prill vepra “Nga pafajësia në pafajësi”, një performancë nga Julian Bulku, me të ftuar: Gean Arbana, Nermin Strazimiri, Eva Muhameti, Panagiata Styliamori, Laura Dramalo dhe Sier Vaso.
“Nga pafajësia në pafajësi” është një performancë e veçantë eksperimentale për skenën shqiptare pasi ndërthur elemente të baletit modern, shoqëruar nga skenar i lexuar dhe i performuar gjatë shfaqjes, me muzikë dhe teatër. Teksti dhe performanca bashkojnë në mënyrë artistike dhe abstrakte kulturën shqiptare dhe realitetin e përditshëm të kryeqytetit, të pasuruara me grimca nga jeta e protagonistit, duke përfshirë frikërat, mendimet, përvojat, dhe nostalgjitë e tij si njeri dhe si artist.
Emigrimi është një nëntekst i shfaqjes, jo vetëm si një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por edhe sepse ky largim nga vendi përkon edhe me dëbimin nga “Edeni” i pafajësisë apo dhe i fëmijërisë.
Deri në datën 15 prill, publiku pati mundësi të shijonte edhe shfaqjen “Dashuritë e presidentit”, një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Ekpserimental “Kujtim Spahivogli” dhe Qendra për zhvillim social, mjedisor, ekonomik dhe kulturor “Smek”. Në skenë u ngjitën për të interpretuar veprën e Miro Gavranit aktorët Luiza Xhuvani, Kristjana Dodaj, Kevin Rrapaj dhe Greta Baci.
Ata sollën për spektatorët një përballje të fortë dhe plot emocion mes bashkëshortes së Presidentit të parë të SHBA-së, George Washington dhe ish-dashnores së tij.
Pas vdekjes së Washington-it, gruaja e tij Marta fton në shtëpinë e saj ish-dashnoren e burrit dhe dy rivalet për herë të parë zbulojnë fakte dhe ngjarje të reja, që do t’i ndryshojnë ato rrënjësisht/ Zoom.al