Pronari i një jahti pa licencë u ndalua nga Policia e Vlorës dhe gjobit, pasi akuzohet për aktivitet të paligjshëm tregtar, teksa shëtiste turistët në ujërat e Jonit.

Burime zyrtare thanë se në zbatim të planit të masave për kontrollin e mjeteve lundruese, bllokohet 1 mjet lundrues jaht që përdorej në kundërshtim me ligjin, për qëllime turizmi, në Karaburun. Pronari u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, i cili nuk ishte i pajisur me Certifikatën e Operatorit Turistik Detar.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Speciale Delta, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, bazuar dhe në informacionet e marra se në vendin e quajtur “Zhapovel”, Karaburun, një shtetas ushtronte aktivitetin, me mjetin e tij lundrues jaht, pa licencën përkatëse, kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë shoqërimin dhe bllokimin e këtij mjeti.

Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin A. T, me masën administrative 100 000 lekë të rinj, bazuar në ligjin nr. 43/2020 “Për operatorët turistikë detarë”, pasi rezultoi se nuk ishte i pajisur me Certifikatën e Operatorit Turistik Detar, për të ushtruar aktivitetin me mjetin lundrues jaht, në bordin e të cilit u konstatuan 10 turistë të huaj”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Policia e Vlorës ftoi qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, edhe çdo rast paligjshmërie duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional, duke u ruajtur edhe anonimatin. /ZOOM.AL/