zoom

Ekonomi

Shell hap pusin e radhës në Shqipëri, por kush e kontrollon impaktin negativ në mjedis?

Kompania “Shell” do të shpojë pusin vlerësues “Shpirag” në zonën e Shpiragut, për të cilën mendohet se ka rezerva të mëdha nafte.

Për këtë arsye, “Shell” ka paraqitur një përmbledhje joteknike të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis pikërisht për këtë projekt.

“Ky dokument do të konsultohet më palët e interesit, ndërkohë që bëhet e ditur se përveç lokacionit të parë të vendosur për shpimin e pusit vlerësues Shell ka përfshirë edhe dy lokacione të tjera alternative”, shuhet në një shkrim të revistës Monitor. Shpimet për Shpirag 5 parashikohet që në nisin në tremujorin e parë të vitit 2022. Ndërkohë që nëse do të ketë shpime të reja do të varet nga rezultatet që do të kenë puset Shpirag 3, 4 dhe 5.

“Shell Upstream Albania B.V. (këtu e më poshtë referuar Shell) është operatori i Kontratës me Ndarje Prodhimi (KNP) të Blloqeve 2-3 në tokë, në Shqipëri. Shell planifikon të kryejë brenda Blloqeve 2-3 shpimin e pusit vlerësues Shpirag-5, në një zonë në afërsi të fshatit Konisbaltë, i cili gjendet në territorin e Bashkisë Ura Vajgurore. Sheshi i pusit të propozuar Shpirag-5 i cili zë rreth 43,839.8 m2 gjendet afër sheshit ekzistues të puseve Shpirag-2/4 të SUA-s dhe kampit të punëtorëve”, thuhet në dokument.

Po kush do t’i kontrollojë impaktin negavit që ka një proces i tillë? Ministria e Mjedisit është institucioni që jep lejet e posaçme mjedisore. Por disa vendime të saj në të shkuarën janë bërë objekt debatesh e kritikash në komunitet dhe në qarqet e ambientalistëve, për shkak të dëmeve gati katastrofike që shkakton nafta në zonat ku nxirret.

Shpirag-5  do të shërbejë për të vlerësuar nëse ka rezerva të mjaftueshme që të garantojnë një zbulim fitimprurës.

Sipas “Shell”, pusi vlerësues do të ketë si objektiv një strukturë nëntokësore shumë të thellë të quajtur “Shpiragu”; kjo është një strukturë që pritet të përmbajë naftë ose gaz.

Pusi pritet të bëjë një vlerësim të rezervuarit të hidrokarbureve që pritet të gjendet ndërmjet 4,000 – 7,000 metra thellë në tokë.

Ky nuk është pusi i vetëm që “Shell” ka. Aktivitetet kërkimore kanë nisur në vitin 2010. Gjatë periudhës 2012-2018 u shpuan puset kërkimorë e vlerësues Shpirag-2, Molisht-1 dhe Shpirag-3. Aktualisht vazhdon shpimi i pusit vlerësues Shpirag-4.

Blloku 2-3 kohë më parë është ndarë mes dy kompanive Shell dhe Petomanas por kjo e fundit u largua nga Shqipëria në vitin 2016 dhe Shell u bë zotëruesja e vetme e këtij Blloku.