zoom

Aktualitet

Shehi: Pastruesja një hajdute, po kjo tjetra? 500 mijë € s’mblidhen me rrogë shteti

Deputeti demokrat Dashamir Shehi ka folur në lidhje me ngjarjen ku pastruesja grabiti qindra mijëra euro në banesën e së Alda Klosit, ish-zyrtare e Kryeministrisë.

Ai madje ka ngritur dyshime se 500 mijë euro nuk mund të mblidhen me një rrogë shteti.

“Kjo është çështje për prokurorë por po e gjykoj si fenomen. Pastruesja është një hajdute profesioniste, por dhe kjo tjetra që ka 500 mijë euro kështu i bie të jetë. Unë gjykoj se 500 mijë euro me rrogë shteti nuk mblidhen. Kjo është një çështje që i duhet lënë prokurorisë dhe policisë. Ky është një akt i rëndë që tregon se korrupsioni është bërë mënyrë jetese, ka fituar qytetarinë. Pothuajse të gjithë e dinë nëpunësit e shtetit mbajnë me miliona lekë në shtëpiat e tyre. Gjithnjë ka pasur një shkallë të lartë korrupsioni në Shqipëri, kjo edhe për arsye të varfërisë, izolimit, mos mësimit me një adminsitratë moderne por kjo dekadë e fundit ka pasur një lloj përshkallëzimi” tha Shehu.

Ditën e djeshme në banesën e Rozeta Dobit dhe djalit të saj Havier, u gjetën rreth 530 mijë euro, të cilat dyshohet se Rozeta i ka vjedhur nga banesat ku punonte si sanitare.

Rozeta Dobi dhe Havier kishin ndërtuar një skenë të mirëfilltë dhe grabisnin vilat, ku 49-vjeçarja punonte si sanitare.

Personat në fjalë shfrytëzonin rastin kur pronarit ishin jashtë vendit për të vjedhur banesa dhe ato i bënin të dukej si grabitje, ndërsa në banesa futej përmes çelësit që kishte kopjuar.

Gruaja vidhte para dhe sende me vlerë, ndërsa djali e priste jashtë me makinë për ta larguar sa më parë nga vendi ku kryenin grabitjen.

Ka qenë ish-zyrtarja e Kryeministrisë Alda Klosi që denoncoi se në shtëpi i ishin vjedhur mijëra euro. Sanitarja dhe djali në shtëpinë e saj dyshohet se kanë vjedhur 120 mijë euro, ndërsa në total në banesën e autorëve janë gjetur rreth 530 mijë euro, nga të cilat 120 mijë euro ditën e djeshme, 402 mijë euro, dhe 8000 dollare sot si dhe tre makina që përdoreshin nga djali i saj.