zoom

Bota

SHBA vendos sanksione ndaj  5 zyrtarëve të BE, në listë edhe ish-Komisioneri

SHBA vendos sanksione ndaj  5 zyrtarëve të BE, në listë edhe ish-Komisioneri

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj pesë figurave evropiane, mes të cilave edhe ish-komisioneri i Bashkimit Europian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton. Në kuadër të këtyre masave, Bretonit i është ndaluar hyrja në territorin amerikan.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka justifikuar vendimin duke deklaruar se veprimet e këtyre individëve përbëjnë forma “censure” dhe dëmtojnë interesat e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në raport me platformat teknologjike me bazë në SHBA.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, Thierry Breton e ka cilësuar këtë vendim si presion politik. “A është rikthyer gjuetia e shtrigave e epokës së McCarthy-t?”, ka shkruar ai, duke iu referuar periudhës së ndjekjeve antikomuniste në SHBA gjatë viteve ’50.

Breton ka mbrojtur gjithashtu ligjin europian të promovuar prej tij, Digital Services Act (DSA), për të cilin Uashingtoni pretendon se ka cenuar interesat amerikane. Ai ka theksuar se ky akt është miratuar nga 90% e Parlamentit Europian, si dhe nga të 27 shtetet anëtare të BE-së. “Miqve tanë amerikanë u themi se censura nuk është aty ku mendoni se është”, ka deklaruar Breton.

Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një njoftim zyrtar, bëri të ditur se Departamenti i Shtetit po ndërmerr “veprime vendimtare” kundër pesë individëve që, sipas tij, kanë udhëhequr përpjekje të koordinuara për të detyruar platformat amerikane të censurojnë pikëpamje që nuk përputhen me bindjet e tyre.

Rubio i ka cilësuar këta persona si “aktivistë radikalë”, duke theksuar se veprimet e tyre, përfshirë përdorimin e organizatave joqeveritare, kanë pasur në shënjestër drejtpërdrejt kompani amerikane. Sipas tij, prania apo aktiviteti i tyre në SHBA mund të sjellë pasoja serioze për politikën e jashtme amerikane./Zoom.al