zoom

Blog

Sa mirë i mbajmë ministrat, ë?

Nga Denisa Skodi

Është një nga ato ditët mëse të thjeshta kur ty s’ta ka ënda të flasësh për gjë e as di ç’të bësh, përveçse dy-tre procese biologjike.

Kjo derisa hipën në autobus dhe biseda e pasagjeres ngjitur të shkund nga kotësia jote. Dëgjon një mesogrua se si i tregon dikujt në një bisedë të zellshme telefonike se i duhet të marrë mamanë e sëmurë (një Zot e di se si) dhe ta shpjerë para një jurie të ethshme. Kjo e fundit duhet ta shohë mirë e mirë, t’ia bëjë ca vlerësime e nëse bindet se ka të bëjë me ndofarë invalideje, kushedi edhe i jep një KEMP.

Ligësisht nis krahasimet në kokë e thua sa me fat je. Ty s’të duhet të poshtërohesh e bëhesh copa për aq pak para. Ose më mirë, mamaja jote është shëndoshë e mirë, se në të kundërt, kushedi, mund të kishe të njëjtin fat.

Kështu nis e bie pre e mendimeve, kërkon të gjesh zgjidhje, e rrok problemin sa në një cep në tjetrin.

Sa po shpëtoja nga e gjitha kjo, mendja seç krijoi një lidhje: dje u bëmë me qeveri. Që të kuptohemi, është po e vjetra me ca ndryshime. Si duhet të jetë të qeverisësh një popull të varfër? Si ndihet një ministër shqiptar mes ministrash të huaj? Thua xhelozon në fshehtësi apo ndjen se e ka llastuar fati. Se mos duhet fort mund ta mendosh, fundja ende ujë, drita, punë duam, a thua se nuk e dini ju.

Me sa pak mund të na e mbyllësh gojën, ë? Bëj sikur përmbushe ca nevoja primitive, sikur ti dhe ekipi yt vendosët standarde mediokre dhe priti lëvdatat të rrjedhin lumë, për gjëra që duhen bërë. Është si të thuash zjarrfikësi shoi flakët, apo mësuesi korrigjoi provimet. Sa lehtë e kanë ministrat tanë, sa lehtë!