zoom

Aktualitet

Ryshfeti për të liruar të arrestuarin, GJKKO lë përsëri në qeli kreun e Dhomës së Avokatisë Korçë

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sot kërkesën e avokatëve të kreut të Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Avokatët kërkuan ndryshim të masës së sigurisë. SPAK e kundërshtoi, duke thënë se provat ishin bindëse dhe se ende kishte rrezik mos dëmtoheshin nëse i dyshuari lirohej.

Lena ka masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek personat që ushtrojnë funksione publike.

Ai ra në pranga një muaj më parë, pasi sipas SPAK, në këmbim të pesë mijë eurove, premtoi zbutjen e masës së sigurisë ndaj shtetasit Bledar Koçizi, i cili ishte arrestuar për trafikim të emigrantëve.

Për të mos e mbajtur në burg janë premtuar një pagesë prej 5 mijë euro dhe personat e përfshirë në krim kanë bashkëpunuar për të ndikuar te gjykata dhe prokurorët. Nën akuzë janë edhe të dyshuarit e tjerë, teksa janë kryer përgjime. /ZOOM.AL/