zoom

Bota

Rusët po përdorin emoji për t’iu shmangur censurës

Më 24 shkurt, kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë, një imazh filloi të përhapet në mediat sociale, një foto e poetit rus Pushkin, numri shtatë dhe rreshtat e emojit “person që ecën”.

Për ata që e dinë, kuptimi ishte i qartë, një vendndodhje (Sheshi Pushkin, në Moskë), një kohë dhe një thirrje për të protestuar kundër veprimeve të qeverisë.

Emoji-t i referoheshin një kodi të përdorur prej vitesh në Rusi për t’iu referuar protestave, një kod kaq i njohur për autoritetet, saqë nuk është aspak një kod, sipas grupit të të drejtave të njeriut OVD-Info.

Pse përdoren kode?

Protestat e paautorizuara janë ndaluar në vend që nga viti 2014 dhe shkeljet e rregullave mund të çojnë në paraburgim deri në 15 ditë dhe në rast përsëritje, personat mund të marrin dënime me burg deri në pesë vjet.

Që atëherë, ka qenë e zakonshme që aktivistët të përdorin fraza të ndryshme të koduara për t’u organizuar në internet.

“Është si, ‘Le të shkojmë për një shëtitje në qendër’ ose, ‘Moti është i mrekullueshëm për një shëtitje'”, thotë Maria, një nga aktivistet që u dërgon mesazh miqve të saj për t’i bërë të ditur se ka në plan të marrë pjesë në një protestë.

Aktivistja thotë se ajo që filloi si një mënyrë për t’iu shmangur censurës së qeverisë pothuajse është bërë një shaka ose një meme.

Gjithashtu, edhe pasojat e mospërdorimit të kësaj gjuhe mund të jenë serioze.

Cilat janë pasojat e mundshme?

Aleksandri, një Rus, mori pjesë në një protestë në Moskë, pasi kishte postuar në lidhje me të në mediat sociale.

Të nesërmen në mëngjes, oficerët me rroba civile e morën jashtë ndërtesës së të dashurës së tij dhe e çuan në departamentin e policisë lokale. Ai u ndalua për disa ditë dhe u detyrua të nënshkruante një dokument që tregonte atë që autoritetet thanë se kishte bërë.

Nuk është e sigurt nëse ai u ndalua sepse kishte marrë pjesë në protestë apo nga aktiviteti i tij në rrjetet sociale. Ai u arrestua më vonë për herë të dytë, ndërsa përdorte metronë, në një ditë që nuk kishte marrë pjesë në protestë.

BBC ka mësuar për ndalime të tjera bazuar vetëm në aktivitetin e mediave sociale, duke përfshirë një grua të arrestuar për një postim në Tëitter.

Më 24 shkurt, ajo postoi: “Unë nuk kam ecur në qendër për një kohë të gjatë”, dhe citoi një postim të një tjetër llogarie që përmbante një thirrje më të qartë për tubim.

Pesë ditë më vonë, ajo u arrestua teksa po udhëtonte me tren.

Ajo beson se u zbulua nga softueri i njohjes së fytyrës në sistemin e Metrosë së Moskës dhe në seancën e saj gjyqësore, u prezantua një dokument që përmbante postimin e saj, që tregonte se autoritetet kishin marrë një pamje nga ekrani pothuajse menjëherë pasi ajo e kishte postuar.

Në një rast tjetër, Niki, një bloger, përshkroi se si vëllai i një miku të ngushtë ishte arrestuar dy herë, një herë për disa orë pasi kishte marrë pjesë në një protestë dhe një herë të dytë, për një javë të tërë, për ndarjen e detajeve me miqtë e tij në Facebook.

Pothuajse 14,000 njerëz janë arrestuar në të gjithë Rusinë që nga fillimi i konfliktit, kryesisht për pjesëmarrje në protesta.

Deri më tani, shumica janë mbajtur për disa orë ose ditë.

A po ndryshon situata?

Një ligj u prezantua në Rusi të premten më 4 mars, me qëllimin e deklaruar për të trajtuar “lajmet e rreme” për ushtrinë, por pritet të përdoret për të goditur edhe më tej protestat kundër luftës duke përfshirë dënimet me burgim deri në 15 vjet, dukshëm më gjatë se më parë.

Për të rinjtë si Maria, kjo “tashmë ka ndryshuar gjërat, sepse tani kam frikë të shkoj në protestë dhe gjithashtu kam frikë të postoj në lidhje me këtë ‘operacion special’ (pushtimi i Rusisë në Ukrainë)”.

Dhe ka të dhëna që arrestimet janë shtuar që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri.

Ku po postojnë rusët tani?

Mbyllja e mediave të pavarura, bllokimi i Facebook dhe kufizimet ndaj rusëve që postojnë në TikTok kanë hequr rrugët kryesore për të marrë informacion dhe njerëzit po vetëcensurohen nga frika.

Tani të rinjtë postojnë shumë pak dhe shumë i kanë mbyllur rrjetet sociale.

Dhe së bashku me dënimet e rrepta, kjo tashmë ka ndikuar në numrin e njerëzve “të guximshëm për të protestuar”.