Aplikacion
Qeveria pro Bashkimit Europian në Rumani është rrëzuar pas miratimit të një mocioni mosbesimi në parlament, duke thelluar krizën politike në vend.
Kryeministri Ilie Bolojan humbi mbështetjen parlamentare pasi 281 deputetë votuan pro largimit të tij, ndërsa vetëm katër vota ishin kundër. Mocioni u iniciua nga Partia Socialdemokrate, e cila më herët ishte tërhequr nga koalicioni qeverisës, në bashkëpunim me Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, një forcë e djathtë ekstreme në opozitë.
Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Liberale Kombëtare dhe aleatët e saj politikë nuk morën pjesë në votim, duke e bërë edhe më të thellë përçarjen brenda skenës politike.
Megjithëse zgjedhjet e parakohshme nuk konsiderohen shumë të mundshme për momentin, zhvillimet kanë shkaktuar reagim të menjëhershëm në tregjet financiare. Monedha kombëtare, leu, pësoi rënie të ndjeshme ndaj euros, duke reflektuar pasigurinë e investitorëve për stabilitetin ekonomik dhe fiskal të vendit.
Qeveria e rrëzuar kishte ardhur në pushtet rreth 10 muaj më parë me synimin për të frenuar rritjen e forcave të ekstremit të djathtë dhe për të stabilizuar ekonominë, përfshirë uljen e deficitit buxhetor. Megjithatë, përplasjet me socialdemokratët për politikat shtrënguese financiare dobësuan kohezionin e koalicionit./ Zoom.al