zoom

Politikë

“Rritja e çmimit të bukës është e përballueshme”! PD sulmon Arben Ahmetajn

Deklarata e lëshuar një ditë më parë nga numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj se çmimi i bukës i rritur me 100 lekë të vjetra është i përballueshëm ka sjellë reagimin zyrtar të Partisë Demokratike.

“Jetojnë të rrethuar në luksin që kanë ndërtuar në kurriz të shqiptarëve, prandaj nuk skuqen kur nuk mbajnë premtimet, as nuk turpërohen kur thonë se çmimet janë të përballueshme. Nga qëndrimet e tyre kuptohet që janë një pakicë, sepse nuk dinë si ndihet shumica dërrmuese e shqiptarëve, e cila jeton në varfëri për shkak të dështimit të modelit të tyre ekonomik klientelist dhe korruptiv. Dëgjojeni zërin e tyre”

Deklarata e Ahmetajt:

Si e komentoni rritjen e çmimit të bukës?

Po ta shikoni llogarinë e detajuar të rritjes së çmimit të miellit dhe atë të bukës deri tani çmimi është i përballueshëm në një rritje 7-10%. E gjithë përllogaritja që kemi bërë ne është në këtë përqindje.

Në parim praktikisht ka ardhur për shkak të rritjes së çmimit të grurit të tregjet ndërkombëtare. Rusia, një nga eksportuesit më të mëdhenj ka rritur çmimin e prodhimit të grurit. Është hera e 3-të në 8 vite që ndodh një gjë e tillë. Çmimet në një periudhë kohore rreth 7-8 muaj reflektohen në tregun e brendshëm.

Ne po vazhdojmë ta monitorojmë dhe do të kemi përgjigje për këtë. Dje me porosi të kryeministrit kam pasur një takim me ministren e Financës dhe qeveria do të ulet dhe do të marrë vendime. Nuk do të ketë çmime të detyruara. Do të shkatërronin qytetarët dhe ekonominë. Ne jemi në një fazë ku rritjet janë në ato nivele që edhe sipërmarrja e absorbon.