zoom

Aktualitet

Rishfaqet Covid në Berat, 25 fëmijësh në javë rezultojnë të infektuar

Pikërisht kur mendonim se virusi Covid-19 po largohej, shumë raste të reja janë rishfaqur në mënyrë të frikshme në Berat.

Virusi ka prekur fëmijët dhe fluksi i të prekurve po rritet nga dita në ditë. Rreth 25 raste fëmijësh në javë rezultojnë të prekur nga virusi Covid-19 dhe 3 fëmijë nga 0-4 muajsh janë nisur drejt Tiranës, me komplikacione dhe probleme në frymëmarrje.

Lajmi bëhet i ditur nga Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, mjeku pediatër Vladimir Kumaraku.

Mjeku Kumaraku pohon se, rastet kanë qenë të shumta dhe në rritje nga dita në ditë, por forma që po paraqet Covidi nuk ka shenja të rënda.

Sipas tij, aktivizimi i virusit tek fëmijët në këtë stinë lidhet me lëvizjet e njerëzve drejt plazheve dhe takimet e tyre me emigrantët, familjarët apo turistët e ardhur nga jashtë.

“Ka pasur një ecuri në rritje të numrit të rasteve me Covid-19 por rritja e numrit të rasteve nuk duhet të rrisë alarmin por duhet të na bëjë të kujdesshëm dhe ti ndjekim raste në shtëpi. Çdo ditë regjistrohen nga 3 raste të reja fëmijësh të prekur nga Coronavirusi, por fatmirësisht graviteti i sëmundjes nuk ka qenë i lartë. Rastet e fëmijëve të prekur nga Covid-19 po trajtohen në shtëpi, duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me mjekun për ecurinë e virusit.

Tre fëmijë të moshave 0-4 muajsh kanë qenë në gjendje të agravuar dhe me probleme respirative dhe janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë. Rastet kanë qenë të shumta, në rritje nga dita në ditë por forma që po paraqet Covidi nuk ka shenja të rënda. Aktivizimi i virusit tek fëmijët në këtë stinë lidhet me lëvizjet e njerëzve drejt plazheve dhe takimet e tyre me emigrantët e ardhur nga jashtë apo turistët. Numri i vizitave shkon deri në 60 vizita në ditë, ndërkohë që gjatë fundjavës arrin edhe deri në 100 fëmijë”, tha mjeku Vladimir Kumaraku për mediat.