zoom

Aktualitet

Rinovohet kupola drejtuese e ushtrisë, Presidenti dekreton 6 gjeneralë të rinj. Ja kush janë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ditën e premte shpalli dekretet për dhënien e gradës madhore për pesë gjeneralë dhe një kundëradmiral në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Dekretimi i kundëradmiral Adnand Agastra, gjeneral brigade Editson Zarka, gjeneral brigade Petrit Çuni, gjeneral brigade Ferdinand Dimo, gjeneral brigade Ilir Pujo dhe gjeneral brigade Ylli Pulaj vjen pas propozimit nga ministri i Mbrojtjes.

Të gjashtë ushtarakët e lartë shquhen për nivel të lartë të profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë kudo ku ata kanë shërbyer gjatë karrierës së tyre në Forcat e Armatosura.

 

Më poshtë skeda profesionale për gjeneralët e rinj:

 

Kundëradmiral Adnand Agastra, ka lindur më datë 21.07.1970, në Vlorë. 

Ka përfunduar studimet në Akademinë e Detarisë në Shqipëri, në vitin 1992 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Forcë Detare”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer kurse dhe trajnime të shumta brenda dhe jashtë vendit, në akademitë më prestigjoze ushtarake të vendeve të NATO-s.

Kundëradmiral Adnand Agastra ka një karrierë të gjatë në Forcat e Armatosura, duke shërbyer thuajse në të gjithë zinxhirin komandues të Forcës Detare, ku veçohen “Komandant i Grupit të Rojës Bregdetare”, “Shef Shtabi i Flotiljes Jugore”, “Shef Shtabi i Flotiljes së Anijeve” në Distriktin Detar, Vlorë; “Komandant” i Bazës Detare “Pasha Liman”.

Gjithashtu, ai ka shërbyer edhe jashtë vendit, në strukturat ushtarake të NATO-s si “Oficer Shtabi Stërvitje”, në Komandën e Komponentit Detar, në Përfaqësinë Ushtarake Jashtë Vendit dhe “Përfaqësues Ushtarak Kombëtar”, në Përfaqësinë Ushtarake Jashtë Vendit.

Aktualisht, kundëradmiral Adnand Agastra shërben si Shef i Degës së Operacioneve dhe Stërvitjes, në Forcën Detare.

 

Gjeneral brigade Editson Zarka, ka lindur më datë 21.03.1966, në Fier. 

Ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në vitin 1988 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Forcë Ajrore”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneral brigade Zarka ka kryer kurse dhe trajnime të shumta brenda dhe jashtë vendit, në akademitë më prestigjoze ushtarake të vendeve të NATO-s. 

Gjeneral brigade Editson Zarka, gjatë karrierës së tij të gjatë në FA ka kryer detyra të ndryshme që nga “Shef Stacioni”, në Regjimentin 9 RT, e deri “Drejtor i Planifikimit të Mbrojtjes” në Shtabin e Përgjithshëm; “Drejtor i Integrimit Koordinimit PfP SHAPE”, në Përfaqësinë Ushtarake Jashtë Vendit dhe “Zëvendëskomandant”, i Forcës Ajrore.

Aktualisht, gjeneral brigade Editson Zarka shërben si Drejtor i Inspektimit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Mbrojtjes.

 

Gjeneral brigade Petrit Çuni, ka lindur më datë 06.09.1969, në Shkodër. 

Ka përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake të Forcës Tokësore, në vitin 1992 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Tanke”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneral brigade Çuni ka kryer kurset më prestigjoze në institucionet arsimore më të mira ushtarake në Gjermani.

Gjeneral brigade Petrit Çuni, gjatë karrierës së tij të gjatë në FA ka kryer detyra të ndryshme, që nisin nga Komandant i kompanisë së tankeve, në Kukës; e deri te Drejtor i Shtabit të Përgjithshëm”, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Aktualisht, gjeneral brigade Petrit Çuni shërben si “Përfaqësues Ushtarak Kombëtar”, në Përfaqësinë Ushtarake Jashtë Vendit.

 

Kolonel Ferdinant Dimo, ka lindur më datë 06.12.1964, në Fier. 

Ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë të bashkuar të Oficerëve, në vitin 1988 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Ndërlidhje”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneral brigade Dimo ka kryer kurse të rëndësishme për komunikimin dhe informatikën në institucione arsimore ushtarake në Itali, Turqi, Hollandë dhe Rumani.

Gjeneral brigade Ferdinant Dimo, gjatë karrierës së tij të gjatë në FA ka kryer detyra të ndryshme, ndër të cilat; “Përgjegjës sektori” dhe “Drejtor” në Drejtorinë e Ndërlidhjes, në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së; “Komandant” i Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit”, në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së.

Aktualisht, gjeneral brigade Ferdinant Dimo shërben si “Komandant”, në Qendrën e Arsimimit Profesional të Ushtarit (Qendra e Stërvitjes Bazë), në Akademinë e Forcave të Armatosura.

 

Gjeneral brigade Ilir Pujo, ka lindur më datë 28.12.1968, në Tiranë.

Ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në vitin 1991 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Zbulim”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneral brigade Pujo ka kryer kurse të ndryshme qe nga ata të Forcave Speciale dhe Komando, e deri te kurset e ndryshme institucionale në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Turqi etj.

Gjeneral brigade Ilir Pujo, ka një karrierë të gjatë në Forcat e Armatosura ku ndër të tjera ka shërbyer si “Instruktor stërvitjeje”, në batalionin e Forcës Speciale; “Pedagog për operacionet” në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes; “Oficer Shtabi për operacionet në Mbështetje të Paqes” dhe “Zëvendës PUK për operacionet”, në Përfaqësinë Ushtarake Jashtë Vendit; “Zv/Drejtor”, në AISM dhe “Drejtor i Shtabit të Përgjithshëm”, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Aktualisht, gjeneral brigade Ilir Pujo shërben si “Drejtor i Përgjithshëm”, në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes.

 

Kolonel Ylli Pulaj, ka lindur më datë 26.01.1972, në Kurbin.

Ka përfunduar studimet në Universitetin Ushtarak në Modena, Itali, në vitin 1994 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Gjitharmësh/ AT”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneral brigade Ylli Pulaj ka kryer kurse të rëndësishme institucionale në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër etj.

Gjeneral brigade Ylli Pulaj, gjatë karrierës së tij në Forcat e Armatosura ka shërbyer në detyra të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilat “Oficer shtabi në sektorin e analizave e rishikimit të burimeve të mbrojtjes”, në Shtabin e Përgjithshëm të FA-së; “Detyrë në Shtabin e NATO-s në Napoli, Itali”, “Komandant i b2k”, në Forcën Tokësore; Atashe Ushtarak i RSH-së, në Republikën e Italisë dhe jo-rezident në Mbretërinë e Spanjës, Portugali, Zvicër, Republikën e Maltës dhe Sllovenisë”, në Përfaqësitë Ushtarake Jashtë Vendit.

Aktualisht, gjeneral brigade Ylli Pulaj shërben si zëvendëskomandant i Forcës Ajrore.