zoom

Kosova

“Reuters”: Kosova përgatitet të strehojë 300 të burgosur nga Danimarka, shqetësime për…

Në një burg në Kosovën lindore, po zhvillohen plane për të larguar të gjithë të burgosurit vendas dhe për të hapur hapësirën për të burgosurit e huaj që do të transportohen me avion nga Danimarka, më shumë se 2,000 kilometra larg.

Kështu nis teksti i mediumit prestigjioz “Reuters”, rreth marrëveshjes që Danimarka ka bërë me Kosovën, me përfitim 15 mln euro në vit. Shteti skandinav pritet të dërgojë 300 të burgosur në vendin ballkanik, i pari për Kosovën dhe një veprim i kritikuar shumë nga ekspertët danezë të të drejtave të njeriut. Siç raporton “Reuters”, planet janë që të burgosurit vendas do të largohen për t’u zëvendësuar me të burgosur të tjerë.

Shërbimi i burgjeve të Kosovës do të rindërtojë burgun e Gjilanit gjatë dy viteve të ardhshme sipas standardeve daneze para se të pranojë të dënuarit nga vendet joanëtare të Bashkimit Evropian, të cilët do të deportoheshin nga Danimarka, pas dënimit. Të dënuarit e parë pritet që të transferohet brenda 21-25 muajve pasi të fillojë renovimi i burgut, gjë që pritet brenda pak javëve. Megjithatë, një marrëveshje e tillë, po kritikohet. Burgu i ndërtuar para tetë viteve, nuk ngre shqetësime për të drejtat e njeriut, por vendimi për strehimin e të burgosurve në Kosovë.

Kështu ka thënë Therese Rytter, drejtore ligjore e “Dignity”, një organizatë daneze për të drejtat e njeriut. “Ka pasur akuza kredibile të abuzimit në të kaluarën. Kjo nuk do të thotë që do të ndodhë në Kosovë, por definitivisht ka një rritje të rrezikut krahasuar me atë nëse do të ishin në një burg danez”, ka thënë ajo. “Reuters” përmend edhe raportin e Departamentit të Shtetit për vitin 2023, ku thuhet se edhe pse burgjet e Kosovës kanë prekur disa prej standardeve ndërkombëtare, dhuna mes të burgosurve, korrupsioni dhe trajtimi joadekuat për të dënuarit me probleme të shëndetit mendor, ka vazhduar.

Komiteti i OKB-së kundër Torturës në një raport kishte thënë se është i shqetësuar për qasjen e të burgosurve në kujdes shëndetësor dhe vizitat familjare. Tutje theksohet se Kosova, një prej shteteve më të varfëra në Evropë, do të përfitojë 210 milionë euro në dhjetë vitet e ardhshme. Të transferuarit, sipas ministrisë së Drejtësisë në Danimarkë dhe Ismail Dibranit, drejtorit të burgjeve të Kosovës, nuk janë të dënuar për terrorizëm dhe nuk kanë dënime të përjetshme.

“Këta individë që do të vijnë janë lehtë të menaxhueshëm nga sistemi ynë”, ka thënë Dibrani. Ndërkaq, deri më tani nuk dihet as gjinia e të burgosurve. Po ashtu, burgu pritet të bashkë menaxhohet nga një drejtor danez me një drejtor lokal, kurse të gjithë rojet do të jenë vendas.

Gardianët kosovarë do të marrin trajnime nga autoritetet daneze për të siguruar që trajtimi i të burgosurve të përmbushë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Megjithatë, ekspertët danezë të të drejtave të njeriut nuk janë të bindur. /ZOOM.AL/