zoom

Bota

Raundi i dytë i zgjedhjeve/ Si kriza ekonomike po ndihmon Le Pen kundër Macron

Francezët votojnë këtë të diel për të zgjedhur presidentin e ri, ku në garë është Emmanuel Macron për një mandat të dytë dhe rivalja e tij e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Sondazhet e publikuara të premten nxjerrin në një avantazh komod Macron, që sipas tyre ka një diferencë nga 8 deri në 13 për qind ndaj Le Pen.

Veç luftës në Ukrainë dhe qëndrimit të duhet të mbajë Franca, kryefjalë e fushatës së dyjavore të balotazhit iu mbivendos edhe kriza e çmimeve. Shumë prej votuesve francezë që kanë shprehur hapur votën pro Le Pen thonë se kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme dhe vendi duhet të ndryshojë.

Kundërshtarët e Macron e quajnë atë arrogant dhe president të të pasurve, ndërsa udhëheqësja e ekstremit të djathtë është akuzuar se ka lidhje me Presidentin rus Vladimir Putin.

Macron u ngrit në pushtet me një premtim të furishëm ndryshimi, por shumë ankohen se ende nuk e kanë parë këtë ndryshim që të vijë. Presidenca e tij është goditur nga protestat, pandemia Covid dhe tani kostoja në rritje e jetesës.

Rritja e kostos së jetesës, e përshkruar në Francë si pouvoir d’achat, ose fuqia blerëse është bërë çështja numër një për votuesit francezë dhe Marine Le Pen u ka premtuar votuesve politika agresive për të ulur çmimet dhe rritur këtë fuqi blerëse.

Sondazhet e kanë nxjerrë atë veçanërisht mirë në qytetet më të vogla dhe zonat rurale që kanë pasur vështirësi ekonomike gjatë epokës së Macron. Le Pen ka mësuar nga gabimet që bëri kur u mund nga i njëjti kundërshtar në raundin e dytë në vitin 2017. Kjo është hera e tretë që ajo provon të marrë nën kontroll Elisenë dhe nëse nuk ja del as këtë herë mund të jetë e fundit.

E panjohura e madhe në këto zgjedhje është se sa votues do të refuzojnë të mbështesin asnjërin kandidat, qoftë duke hedhur një fletë të bardhë, apo duke mos dalë fare në zgjedhje. Pjesa më e madhe e Francës është me pushime dhe pjesëmarrja mund të jetë historikisht e ulët.

Fushata ka qenë e shkurtër, por zgjedhja për votuesit është e qartë, midis një presidenti pro-europian dhe një kandidati nacionalist që mes premtimeve kërkon të ndalojë shaminë dhe të kufizojë emigracionin.

Cilido qoftë rezultati, Macron do t’u drejtohet votuesve të dielën në mbrëmje nga një skenë në këmbët e Kullës Eiffel.