zoom

Aktualitet

Rama thumbon europianët që mbrojtën Vjosën: “I bëjmë një larje ndërgjegjes së tyre”

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot europianët që i dolën në mbrojtje lumit Vjosa, teksa deklaroi se duke e shpallur park kombëtar i të bëjmë një larje sado të sipërfaqshme ndërgjegjes së tyre.

Nga Tepelena, pranë lumit Vjosa, ku ndodhej sot, Rama tha se shumë europianë pasi i kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë.

“Sot ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Europës dhe në këtë rrugë për të ardhur deri këtu patëm shumë europianë që pasi i zbutën lumenjtë e tyre te egër për t’i shfrytëzuar siç e panë të arsyeshëm, u turrën te Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja.

Shumë europianë që pasi i kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë. Është kënaqësi që dhe atyre u japim mundësi që përmes Vjosës të bëjmë një larje sado të sipërfaqshme të ndërgjegjes së tyre.

Ashtu sikundër është shumë kënaqësi që mes tyre ne kemi pasur fatin të njohim dhe të takojmë njerëz të cilët janë vërtetë bekimi i këtij planeti, siç është Rayan këtu që shet rroba në gjithë botën dhe bën miliarda, por në të njëjtën kohë ka një shqetësim xhenuin për të kontribuuar në këtë planet, i cili është n një udhëkryq të rrezikshëm”, deklaroi Rama.