zoom

Ide & Blog

Rama tallet me demokratët, por mund të humbasë socialistët

Edi Rama zgjodhi këtë të diel të komentojë zhvillimet dramatike në Partinë Demokratike, protestën e të shtunës, ku mbështetësit e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës përdorën dhunën si akt për të vendosur se kush do të duhet të qëndrojë në selinë e PD-së.

Por komentet e Edi Ramës nuk kishin të bënin me qëndrime serioze të një shtetari.

Gjithçka që ai tha për protestën ishte një mënyrë për t’u tallur me krizën më të madhe që një parti e madhe opozitare ka parë në historinë e saj. U pa kjo që nga titulli që ai i vuri daljes së tij përpara kompjuterit të zyrës luksoze,

“Bashkëbisedim me demokratët”, ku bashkë me përgjigjet përgatit vetë edhe pyetjet. Edi Rama mund të kishte zgjedhur 100 forma më serioze për të shprehur shqetësimet, kritikat, akuzat apo për të shpalosur këshillat ndaj miqve dhe armiqve të tij në PD. Por ai zgjodhi me cinizëm t’u japë “demokratëve” leksione demokracie, duke anatemuar dhunën si formë për të marrë pushtetin në demokraci, por me mjaft dredhi, ai e përdori situatën në PD për të përfituar politikisht.

Rama anatemoi dhunën, teksa vetëm pak vite më parë kur ishte në opozitë digjte goma për të bllokuar rrugët kryesore të vendit dhe sulmoi kryeministrinë e Berishës dhe Bashës me molotov, gurë, tulla e makina gati kamikaze, në një prej protestave më të dhunshme që kishte parë Shqipëria, e cila la 4 të vdekur.

E pra, Edi Rama tentoi sot jo vetëm të tallet me demokratët, por edhe të përfitojë prej atyre që janë lëkundur e mërzitur me të drejtë nga çfarë panë dje në PD dhe ngaqë e ardhmja nuk duket më e ndryshme se kjo fundjavë.

Por si qëndrimet e tij qesëndisëse ndaj këtyre zhvillimeve dramatike, si e shkuara e tij, që ngjan si dy pika uji me dhunën e Bashës e Berishës, e vënë atë në përballë rrezikut për të humbur më shumë sesa pret të fitojë në mesin e fatkeqësisë së një partie kryesore opozitare.

Sepse, teksa rreket të gënjejë demokratët se ai është delja e butë që duhet marrë shembull, ujkun që ka nën lëkurë po ia shohin ditë për ditë edhe socialistët. /Zoom.al