zoom

Aktualitet

Bastet online/ Nuk ka më para cash. Reklamat mund të vazhdojnë, por me orare

Organizatorët e basteve sportive online do të “tatohen” me 15% të shumës së fituar, por nuk do të jetë një e ardhur e arkëtuar nga arka e shtetit, por do të dërgohen direkt në “fondin e veçantë”, që i dedikohet më pas projekteve të institucioneve.

Drafti i sapodalë në konsultim publik nga ministria e Financave sqaron më tej se bastet nuk do të jenë me para cash, por vetëm nga institucionet financare të autorizuara që quhen “agjent financiar” si Posta Shqiptare, bankat tregtare dhe jo-bankat me të cilët lidhen organizuesit.
Këta të fundit fillimisht duhet të kenë një kapital minimal prej 20 mln lekësh për të aplikuar për licensim, të ketë një eksperiencë 3-vjeçare në këtë fushë në një vend të BE-së dhe vendim se ai apo aksionerët e tjerë nuk kanë qenë kurrë të dënuar penalisht. Licensa jepet për 10 vite dhe ka të drejtë të menaxhojë deri në 1.000 njësi bastesh online.

Në draft thuhet se në rast marrje license, organizatori ”është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 mln lekësh ose jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat”.
Drafti përmend me tej edhe reklamimin e këtij aktiviteti në media, ku ndalohet ai në mediat e shkruara dhe audiovizive, por mund të lejohet pas orës 22:00 kur jepen programe sportive. Reklamat nuk ndalohen në median elektronike.

Publiciteti duhet të theksojë se “Lojërat e fatit krijojnë varësi. Kujdes në ushtrimin e tyre të tejzgjatur”.

Një tjetër pikë në draftin për lojërat e fatit është ajo për lotarinë Kombëtare licenca e të cilës jepet për një afat 10 vjeçar. Në listën e kritereve që duhet të përmbushen duket se qeveria e ka parë të arsyeshme që të zvogëlojë kapitalin për të marrë këtë licencë nga 1.2 miliardë që është aktualisht në 40 milionë lekë pra 30 herë më i ulët.

Sipas ligjit përzgjedhja e subjektit për lojërat e fatit Lotari Kombëtare bëhet nga Komisioni i Licencimit, në përputhje me kriteret e vlerësimit, të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat. Për këtë Lotari jepet vetëm një licencë.