zoom

Aktualitet

Qytetarët e Tiranës godasin me gurë urbanin. Operatorët: Nuk na është dhënë fondi i Bashkisë

Qytetarët e kryeqytetit sot ( 10 mars) janë gdhirë me shpresa se, mund të lëviznin lirisht përmes linjave publike të transportit pas lajmit të vonë dje, për arritjen e një marrëveshje të shoqatës së urbanëve me Bashkinë e Tiranës, por orët e para ishin një zhgënjim.

Në disa stacione urbani i radhës ka vonuar edhe 1 orë. Në mëngjes stacionin “Mapo” në Kombinat qytetarët e irrituar kanë goditur me gurë duke thyer xhamin e autobusit të linjës 15 “Kinostudio-Kombinat” .

Përfaqësuesi i kompanisë “Shega trans” Ervin Shijaku tha se, për shkak të kësaj situate të tensionuar ata po diskutojnë që të pezullojnë shërbimin ditën e premte. Megjithëse, duket një vendim drastik dhe i mundshëm, përfaqësuesit e kompanive të transportit urban ende nuk e kanë unifikuar vendimin.

Shijaku tha se këtë javë çmimi i naftës ka kapur rekorde dhe situata financiare e tyre është përkeqësuar. Sipas tij, për linjën Kombinat-Kinostudio-Tufinë, nga 20 autobusë që janë dispozicion, këtë javë kanë punuar me gjysmë kapaciteti.

Bashkia e Tiranës të mërkurën në mbrëmje njoftoi se, ka nisur disbursimin e subvencionit për transportin publik në kryeqytet duke paguar këstin e parë për muajin Janar. Shoqatat e transportit do të marrin në total 120 mijë euro dhe pagesat do të bëhen çdo muaj në bazë të skemës së subvencionimit. Siç e ka njoftuar edhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj më herët, shuma totale e subvencionit e miratuar si paketë ndihme për operatorët e transportit publik do të jetë 1 milionë euro dhe do të merret përgjatë gjithë vitit 2022.

Por Rizhin Qoshja kreu i Shoqatës së Transportit tha se kësti i parë i subvencionimit për muajin Janar 22 nuk ka kaluar ende.
“Edhe nëse kalon, i marrin automatikisht tatimet për borxhe të mbartura. Ai këst është llogaritur për çmimin e naftës 170 leke/litër, domethënë është i pamjaftueshëm”.

Shoqata konfirmon se, autobusët janë të reduktuar në numër dhe nëse nuk ka asnjë reagim zyrtar në lidhje me rritjen çmimi apo mekanizma fiskal lehtësues, ata do të mbyllen gradualisht, pasi operatorët nuk do të kenë mundësi për të paguar karburantin dhe pagat. Operatorët urbanë kanë sugjeruar uljen e taksës për karburantet ose rritjen me 100% të çmimin e biletës.
Të martën Shoqata e Transportit kërkoi rritjen e çmimit të i biletës në 80 lekë nga 40 lekë që është aktualisht./SI.al