Aplikacion
Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Enkelejda Muçaj, tha përpara komisionit të ekonomisë se shkrirja e Albcontrol nga një shoqëri tregtare në një ent publik po bëhet për të shmangur falimentimin. Sipas shpjegimit të saj, duke qenë një shoqëri tregtare Albcontrol, njësia qendrore e trafikut ajror, nëse nuk raporton fitim për 3 vite, Tatimet do e shpallin si të falimentuar, prandaj ajo duhet të kthehet në një ent jobuxhetor që nuk ka qëllim fitimin.
Këtu ajo pranoi se kompania “Air Albania” po falimenton.
Duke qenë po ashtu një subjekt tregtar, “Air Albania” ka për detyrim publikimin e bilanceve vjetore pranë QKB-së, por kompania nuk i ka publikuar ato prej 4 vitesh. Sipas ligjit të falimentimit në Shqipëri, bizneset kanë të drejtë të analizojnë fitimet e tyre deri në tre vite. Në të kundërt, ata mund të kalojnë në likuidim ose falimentim total.
“Air Albania” nuk ka të dhëna në Shqipëri për të faktuar rrënimin financiar, por ka në Turqi. Kompania është bijë e një marrëveshje midis shtetit shqiptar dhe Turkish Airlines dhe kjo e fundit ka treguar për gropën e madhe që i ka shkaktuar flamuri shqiptar.
Nga dokumentat që posedon Zoom.al, Turkish tregon se humbjet e ““Air Albania”” vetëm shtohen nga viti në vit dhe ajo është debitore në 35 mln dollarë (bilanci 2023).
Në të njëjtin bilanc, deklarohet se deri në shtator ka pësuar humbje me 9 mln lira turke, mbi 300 mijë dollarë. Aty tregohet se në periudhën janar-shtator 2023, midis palëve pronare të ““Air Albania”” janë bërë transaksione me vlerë 8 mln dollarë. Dokumenti nuk sqaron nëse shifrat i përkasin vetëm pjesës që administron Turqia apo 100% të kompanisë. Bazuar në metodologjinë e pasqyrave financiare ato i përkasin vetëm aksioneve që Turkish posedon dhe kjo e bën situatën akoma më të pashpresë.
Falimentimi e vetmja shpresë?
Në një kohë kur buxheti i “Air Albania” është në të kuqe, zhytur në borxhe, pa likuiditet dhe pamundësi shitje, falimentimi është drita në fund të tunelit.
Teorikisht, kjo do ta shpëtonte kompaninë nga larja e detyrimeve, por ligjërisht borxhi i keq i kalon automatikisht Albcontrol, që mban 10% të aksioneve në emër të Shqipërisë. zv.ministrja Muçaj tha në komision se Albcontrol do të kthehet ent publik bashkë me aktivet dhe pasivet e saj.
Gjendja akoma më e keqe e Albcontrol, llogaritë e së cilës janë tashmë të bllokuara dhe paratë shkojnë për Francesco Becchetti-n është një tjetër provë e krizës së linjës turko-shqiptare. Edhe nëse vetë linja e fluturimit do të ishte financiarisht e shëndetshme, ngrirja e aseteve të Albcontrol do ta fuste atë në një zinxhir borxhesh.
“Ngritja” dhe rënia e “Air Albania”
Pronarët e kësaj linje fluturimi, kanë mbi 18 milionë euro borxhe në detyrime aeroportuale, kufitare, doganore e mjedisore, të akumuluara në vetëm 4 vite. Ky borxh dyshohet se është shtuar gjatë vitit të fundit të operimit.
Një vit më parë, kompania u sekuestrua nga përmbarimorët për shkak të borxheve ndaj punonjësve të kompanisë, përfshirë ish-administratorin. Kështu ajo e ka të pamundur të blihet apo shitet në një tjetër kompani, për të dalë nga borxhet ku është zhytur.
Në mes të vitit 2022 kompania u pezullua në QKB për shkak se nuk kishte deklaruar pronarët përfitues.
Financat e “Air Albania” u bënë çështje me rëndësi politike para pak vitesh, kur kryeministri Edi Rama mori “hua” një avion, për udhëtime personale dhe jo vetëm. Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje, por sigurisht qeveria e pengoi atë.
Hakerat iranianë kanë zbuluar se kryeministri shqiptar ka udhëtuar 140 herë me charterin e pagëzuar me emrin Ismail dhe opozita thotë se ka shpenzuar 22 mln euro./Zoom.al