zoom

Politikë

Qeveria kërkon të falë edhe protestuesit e Berishës, jo vetëm të Bashës, kundërshton Alibeaj

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tregoi sot në komisionin online të Ligjeve se është parashikuar shtrirja e Amnistisë deri në janar të 2024-s, e jo vetëm për periudhën 2018-2020, siç propozonte Alibeaj.

Ky ndryshim nxiti reagimin e deputetit demokrat, i cili tha se “shkon përtej interesit të opozitës”.

“Zgjatimi deri në 2024-n, shkon përtej interesit tonë. Logjika ka qenë që të targetojë të gjithë ata që janë proceduar e dënuar gjatë kësaj periudhe, kur PD dhe aleatët e saj organizuan protesta. E konsideroj si një zgjatim pa asnjë arsye. Nuk pranoj që amendamentin tonë ta marrë qeveria e të zgjasë efektin kohor. Nga amendamenti im nuk është pranuar asgjë”, u shpreh Alibeaj.

Sipas ministrit Manja janë pranuar shumica e propozimeve të deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj për Amnistinë Penale dhe të vetmet propozime që nuk janë pranuar, janë goditja për shkak të detyrës dhe shkatërrimin e pronës. Ai tregoi se është pranuar edhe propozimi i deputetit Bledjon Nallbati, për të ulur me 1 vit dënimet

“Kemi qenë në kontakt me Komisionin e Ligjeve dhe na janë vënë në dispozicion propozimet. Kjo do të shtrihet deri në datën 31/01/2024. Ky propozim është zgjedhur me gamën e personave të dënuar ose që janë në ndjekje penale. Sigurisht është pranuar edhe për veprat që lidhen me tubimet dhe protestat, këtu kam parasysh veprat penale bazike që lidhjen me organizimet e protestave. Personat e armatosur në protestë që dënohen deri në 3 vite burg.

Edhe këto kanë qenë pjesë propozime dhe amendamenteve që ka propozuar deputeti Enkelejd Alibeaj. Goditjen për shkak të detyrës ne nuk e kemi pranuar. Për shkak të rrezikshmërisë dhe parimeve që ka amnistia ne nuk e kemi pranuar. Po ashtu edhe shkatërrimin e pronës nuk e kemi pranuar. Për këto vepra ne kemi mbajtur linjën që kishim”, tha ministri Manja.

Deputeti relator i ligjit për Amnistinë, Plarent Ndreca, iu përgjigj deklaratës së Alibeajt se “asnjë nga propozimet nuk është pranuar”. Ndreca tha se shkatërrimi i pronës dhe kundërshtimi i policisë e goditje për shkak të detyrës, janë vepra që dënohen deri në 10 vite burg dhe nuk mund të amnistohen.

“Këto nuk kanë lidhje me qëllimin tuaj dhe të drejtat politike”, tha deputeti Ndreca.

Alibeaj iu përgjigj duke thënë se në amendament përcaktohej se bëhet fjalë për veprat penale që lidhen me protestat dhe jo për të gjitha. /ZOOM.AL/