Aplikacion
Dy fqinj kanë përfunduar në prangat e Policisë në Shkodër, pasi dyshohet se u konfliktuan për motive të dobëta dhe qëlluan me armë zjarri për të kanosur njëri-tjetrin.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 25 qershorit në lagjen “Tre Heronjtë”, ku, sipas hetimeve paraprake, 63-vjeçari me inicialet N. L. dhe 27-vjeçari A. F. u përfshinë në një konflikt që degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit. Si pasojë e të shtënave u dëmtuan porta e oborrit të banesës së 63-vjeçarit dhe një automjet i parkuar aty.
Gjatë kontrolleve të kryera në banesën e këtij të fundit u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit. Ndërsa në banesën e 27-vjeçarit u gjetën municion luftarak dhe katër kallëpe lënde të dyshuar plasëse, të llojit tritol.
Në vijim të hetimeve, Policia shpalli në kërkim edhe një 26-vjeçar me inicialet A. F., i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk e ka kallëzuar ngjarjen, duke u proceduar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.