zoom

Stil

Pse personat me ankth duhet të merren me Ski

Nga peizazhi mahnitës tek lëvizjet plot adrenalinë, ka shumë arsye pse njerëzit zgjedhin të bëjnë ski. Dhe një tjetër avantazh i shtohet së fundmi. Një studim i ri ka zbuluar se të bësh ski lidhet me përfitime të mëdha të shëndetit mendor. Rezulton se ata që bëjnë ski janë persona që shqetësohen më pak dhe që përjetojnë më pak ankth se të tjerët.

Studimi i fundit, i botuar në ‘Frontiers in Psychiatry’, zbuloi se skiatorët kishin një rrezik gati 60% më të ulët për t’u diagnostikuar me çrregullime ankthi, krahasuar me jo-skiatorët.

Prej vitesh, ekspertët i kanë mëshuar faktit që aktiviteti fizik mund të ndihmojë në parandalimin e ankthit ose uljen e simptomave të tij, ndërsa ky studim hedh më shumë dritë.

Autorët e studimit analizuan 197 mijë e 685 suedezë të cilët morën pjesën në garën më të madhe në botë për ski në distanca të gjata prej 56 miljesh mes viteve 1989 dhe 2010 dhe i krahasuan të dhënat e tyre me jo-skiatorët. Më pas ata i monitoruan për një periudhë 10 vjeçare.

Sipas ekspertëve, u zbulua se skiatorët kishin një rrezik 60% më të ulët për t’u diagnostikuar me çrregullime ankthi – pavarësisht nga niveli i arsimit, mosha apo gjinia.

Studiuesit gjithashtu zbuluan se intensiteti i stërvitjes gjithashtu luan një rol. Për më tepër, ka disa dallime midis burrave dhe grave.

Koha që iu desh skiatorëve për të përfunduar garën nuk ndikoi në rrezikun e meshkujve për çrregullime ankthi, por skiatoret femra me performancë të lartë kishin pothuajse një rrezik të dyfishuar të zhvillimit të ankthit-krahasuar me gratë me performancë më të ulët.

Sidoqoftë, autorja e studimit Martina Svensson thekson: “Rreziku i përgjithshëm i ankthit midis këtyre grave me performancë të lartë ishte akoma më i ulët në krahasim me gratë që nuk janë aktive fizikisht mes popullatës së përgjithshme”.

Këto dallime mund të vijnë nga përgjigjet e ndryshme fiziologjike ndaj stërvitjes-ose faktorë të tjerë të tillë si shqetësimet për pamjen e dikujt (e cila është gjetur më së shpeshti tek gratë) dhe vetë-perceptimi i nivelit të aftësisë fizike, gjë që mund të rrisë ankthin.

Gjetjet e studimit kanë shumë kuptim duke pasur parasysh që ne tashmë e dimë se stërvitja largon mendjen nga mendimet shqetësuese, dhe çliron nivele më të larta endorfine.

Po kështu edhe natyra njihet për përfitimet e mëdha. Të kombinuara bashkë, e bën ski-në një sport për t’u marrë më shpesh në konsideratë.