zoom

Aktualitet

Pse nuk i heton SPAK? Dalin fatura të reja për Ahmetajn, të paguara nga Zoto

Janë publikuar fakte të reja në lidhje me pagesat që ish-zv.Kryeministri Arben Ahmetaj ka përfituar nga Klodian Zoto. Faturat konfirmojnë se Zoto ka mbuluar udhëtimet edhe të gruas së parë të Ahmetajt,  dhe i përkasin periudhës 2015-2016.

Sipas gazetarit Adriatik Doci,  udhëtimet dhe akomodimet përkojnë me hyrje-daljet e ish-ministrit dhe ish-gruas së tij në sistemin TIMS.

Me heret, deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi ka publikuar disa nga faturat e Arben Ahmetaj që janë paguar nga Klodian Zoto.

Bardhi është shprehur se mijëra euro shpenzime të përfituara nga Arben Ahmetaj dhe të padeklaruara prej tij (një vepër tjetër penale) janë prova të qarta dhe të pakontestueshme korrupsioni, për të cilat SPAK duhet të veprojë menjëherë.

“Nëse ato fakte kanë qenë realisht pjesë e dosjes hetimore të inceneratorit të Elbasanit, fshehja e tyre dhe mosveprimi nga ana e prokurorisë është prova më domethënëse e dështimit të SPAK me atë çështje.

Aferës së inceneratorëve duhet ‘ti shkohet deri në fund. Qeveria e Edi Ramës ka vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale dhe SPAK duhet ta hetojë si të tillë,” ka shkruar Bardhi.

Denoncimi i gazetarit Adriatik Doçi

Pisa, Vjena dhe Malta janë disa vende të tjera, bukuria dhe shërbimet e të cilave janë shijuar nga ish-ministri Arben Ahmetaj me paratë e Klodian Zotos, pronarit të shoqërisë koncensionare të inceneratorëve.

Nëse dokumentet e publikuara në dhjetor 2022 konfirmonin se Zoto ka paguar akomodimin në hotele edhe të dashurës së Ahmetajt (Erjola Hoxha), faturat e publikuara sot konfirmojnë se Klodian Zoto i inceneratorëve ka mbuluar udhëtimet edhe të gruas së parë të Ahmetajt, Albina Mançka, si dhe të vetë Ahmetajt.

Pasi Ahmetaj ka firmosur në 14 prill 2014 për koncensionin e inceneratorëve në cilësinë e ministrit të Ekonomisë dhe më pas ka lëvruar fondet publike në cilësinë e ministrit të Financave, Zoto i ka kthyer reston, duke i mbuluar shpenzimet Ahmetajt, gruas së tij në letra Albina Mançës si dhe të dashurës së tij, Erjola Hoxha, me të cilat ka tre vajza.

Pagesat e Klodian Zotos për mbulimin e udhëtimeve dhe akomodimin në hotele me 5 yje të Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij i përkasin periudhës 2015-2016. Me paratë e inceneratorëve, çifti Ahmetaj-Mançka kanë vizituar simbolet turistike të Evropës.

Udhëtimet dhe akomodimet në hotele luksoze përkojnë me hyrje-daljet e shënuara në sistemin TIMS.
Çuditërisht as këto pagesa korruptive nuk u kanë bërë ‘përshtypje’ dy prokurorëve Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho, gjatë zbërthimit të tre kompjuterave dhe telefonit të Klodian Zotos në mars 2022.

Nga viti 2013 deri në vitin 2018, Klodia Zoto ka kryer 10 pagesa me vlerë mijëra për udhëtime akomodimin në hotele me 5 yje të Arben Ahmetaj dhe dy grave të tij, në Bukuresht, Milano, Frankfurt, Farancë, Milano, Monte Carlo etj. (Këto pagesa të dokumentuara janë vetëm maja ajsbergut).

Dy prokurorët e çështjes Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi kanë mbuluar qëllimisht këto prova korrupsioni, duke devijuar hetimet, shpërdoruar detyrën, minuar barazinë para ligjit, cënuar besimin tek SPAK dhe ngarkuar me përgjegjësi penale persona me rol periferik.

Jo vetëm kaq. Pagesa të së njëjtës natyrë janë konstatuar nga hetuesit si dhe janë bërë pjesë e dosjes hetimore për Etleva Kondin, ish drejtoreshë e koncensioneve në Ministrinë e Energjitikës dhe anëtarë e Komisiomit të Vlersimit të Ofertave për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit. Kondi është marrë e pandehur nga SPAK.

Ligji penal dhe procedural penal është zbatuar për ish zyrtaren e nivelit të mesëm Etleva Kondin, por jo për zyrtarin e nivelit të lartë Arben Ahmetajn. I vetmi fakt flagrant korruptiv në historinë e çështjes së inceneratorëve ishin pagesat e Klodian Zotos. Pikërisht fakti më i rëndësishëm është fshehur.

Skandali u thelluar nga Prokurori i SPAK, Alfred Shehu, i cili në vend që të kryente një verifikim elementar të pretendimeve në kallëzim, ka bërë bërë një ese të paprecedentë, duke folur për çështje psikologjike, ndjesi, kompeteca të ditura dhe bindje të brendshme të dy prokurorëve.

Vendimi i Alfred Shehut më së paku është në konflikt interesi, kompromentues dhe në kundërshtim flagrant me disa vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë, e cila ka theksuar se nuk mund të mbyllet një dosje me mosfillim pa kryer hetime.

Jo drejtësi selektive, por barazi para ligjit!