Aplikacion
Rritja e një klase të mesme pronare banesash dhe sipërmarrëse në Kinë ka transformuar qytetet e saj gjatë këtij shekulli. Kjo ka ndihmuar në nxitjen e konsumit në ekonominë e dytë më të madhe në botë. Në maj, shitjet me pakicë u rritën me 6.4% nga viti në vit, ritmi më i shpejtë që nga dhjetori i vitit 2023, ndihmuar nga subvencionet shtetërore që synojnë të ringjallin entuziazmin e konsumatorëve. Qeveria madje ka nxitur me kujdes marrjen e kredive gjatë viteve të fundit. Por e gjithë kjo ka krijuar rreziqe të reja. Krahas rrugëve të mbushura me makina, restoranteve luksoze dhe qendrave të mëdha tregtare, ka ardhur një ndryshim i madh dhe i padukshëm: rritja e borxhit të familjeve.
Si përqindje ndaj PBB-së së Kinës, borxhi familjar është rritur nga më pak se 11% në vitin 2006 në më shumë se 60% sot, afërsisht në nivelet e vendeve të pasura. Kredidhënës janë bankat shtetërore dhe platformat teknologjike. Midis 25 dhe 34 milionë persona mund të jenë aktualisht në mospagim sipas Gavekal Dragonomics, një firmë kërkimore. Nëse përfshihen edhe ata që kanë vonesa në pagesa, numri total mund të arrijë në 61 deri në 83 milionë, ose 5–7% e popullsisë mbi 15 vjeç. Në të dy kategoritë, këto shifra janë dy herë më të larta se pesë vite më parë, vlerëson firma. Me papunësinë e lartë tek të rinjtë dhe rënien e tregut të pasurive të paluajtshme, situata ka gjasa të përkeqësohet.
Të merresh me borxhin personal mbetet diçka e turpshme dhe e panjohur në Kinë. Por qeveria po përpiqet me vështirësi të ndihmojë. Ajo është tashmë e ngarkuar me trajtimin e borxhit në të gjithë sistemin: borxhi i qeverive vendore mbetet shumë i lartë dhe borxhi korporativ gjithashtu shqetësues. Borxhi familjar është edhe një hall tjetër. Nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm për stabilitetin financiar, por po rëndon gjithnjë e më shumë në mendjen e klasës së mesme, duke frenuar shpenzimet dhe duke minuar besimin në begatinë gjithmonë në rritje, një besim që Partia Komuniste e konsideron thelbësor për të ruajtur pushtetin.
Familjet kineze kanë një mburojë: në përgjithësi, kursimet e tyre në raport me të ardhurat e disponueshme ishin afro 32% në vitin 2023, sipas JP Morgan. Kjo është shumë më lart se shkalla më pak se 3% që kishte Amerika në prag të krizës financiare globale të vitit 2007. Por gjatë viteve të bumit, kredia për banesa dukej si një bast i sigurt, sidomos kur punët ishin të shumta dhe të qëndrueshme. Njerëzit u mësuan të shpenzonin me para të marra nga platforma të mëdha si Alipay dhe WeBank. Të tjerë morën hua për të investuar në bizneset familjare. Pastaj erdhën izolimet e rrepta nga COVID-19 në vitin 2020 dhe rënia e tregut të pronave një vit më pas. Cilado qoftë origjina, për shumë persona pasojat kanë qenë borxhi i tepërt dhe përplasja me cuigou, ose “qentë e presionit”, pra, përmbarues agresivë të borxhit.
Le të fillojmë me tregun e pronave. Huamarrja për banesa përbënte 65% të kredive familjare vitin e kaluar (duke përjashtuar huatë për qëllime biznesi). Pjesa më e madhe e kredive hipotekore jepen nga banka shtetërore, të cilat duhet të jenë të kujdesshme në mënyrën se si i rikuperojnë paratë nga personat që nuk munden të paguajnë. Numri i banesave të sekuestruara dhe të listuara për ankand vitin e kaluar ishte 366,000, pak më shumë se 364,000 në vitin 2023, sipas China Index Academy, një firmë kërkimore private. Numri i njerëzve që nuk arrijnë të paguajnë kredinë e shtëpisë mund të jetë në rritje edhe më të shpejtë. Rregullatorët janë të kujdesshëm për të mos lejuar sekuestrimet agresive të shtëpive kryesore, nga frika e protestave. Bankat përballen edhe me një problem tjetër: në tregun e dobët të sotëm, ankandimi i një prone mund të mos mbulojë as vlerën e kredisë. Ndërsa huadhënësit online, që japin një pjesë më të vogël të kredive hipotekore, janë shumë më të ashpër në përpjekjet për të marrë paratë.
Një tjetër grup në vështirësi janë konsumatorët e pamatur. Lily, një vajzë e re në Shanghai, ra në borxh kur punëdhënësi i saj, një kompani software, ndaloi t’i paguante rrogën për shkak të vështirësive financiare. Ajo i detyrohej 30,000 juan huadhënësve online. Për të ndihmuar veten, ajo u përfshi në “debt IP” – kur njerëzit kthejnë historinë e rrënimit në një mënyrë për të fituar para si influencerë. Ajo tregon vështirësitë e saj me borxhet në video të shkurtra në rrjetet sociale, por ende nuk ka bërë sukses. Disa nga më të famshmit kanë qindra mijëra ndjekës. “Disa madje konkurrojnë mes tyre – ‘Unë kam 10 milionë borxh’, ‘Unë kam 100 milionë borxh’,” thotë ajo.
Të kalojmë te borxhi për investime. Në Hangzhou, znj. Bai drejtonte një biznes të suksesshëm edukimi dhe mori kredi personale prej miliona juanësh për të investuar në të. Shumë kinezë marrin hua për të zhvilluar firmat familjare dhe huadhënësit shpesh kërkojnë garanci personale, duke rrezikuar gjithë familjen nëse biznesi dështon. Në kulmin e saj, kompania e saj organizonte kurse përgatitore për 50,000–60,000 nxënës në mbi 30 qendra, duke gjeneruar 100–200 milionë juan në vit. Pastaj erdhi pandemia dhe ndalimi politik ndaj industrisë së kurseve private. Ajo u detyrua të shiste shtëpinë dhe makinën për të paguar borxhin.
Të merresh me bankat ishte pjesa më e lehtë. Gjatë pandemisë, qeveria i nxiti bankat të tregoheshin të buta me debitorët, dhe ato pranuan të falnin dhjetëra mijëra juan në interesa. Pjesa më e vështirë ishte përballja me “qentë e presionit” të huadhënësve online, të cilët ajo i kishte përdorur për shpenzime personale. Ata i telefononin vazhdimisht, asaj, miqve dhe familjarëve, shpesh nga numra të ndryshëm që të mos mund të bllokoheshin. Ajo u trondit sidomos nga ngacmimi ndaj prindërve. “Në Kinë,” thotë ajo, “nuk i themi prindërve lajme të këqija, ndaj ata u prekën shumë.” Znj. Bai ra në depresion dhe mendoi për vetëvrasje. Bashkëshorti e braktisi.
Rregulloret për industrinë e përmbarimit të borxheve janë të reja dhe zbatohen në mënyrë të paqëndrueshme në Kinë. Në vend që ta ndihmonte znj. Bai, një gjykatë e futi në listën e zezë të “kreditit social”, që do të thotë se ajo nuk mund të fluturonte, të përdorte trenat e shpejtësisë së lartë apo të qëndronte në hotele luksoze.
Po ku mund të gjejnë ndihmë debitorët? Grupi mbështetës po shtohen online. Jiaqi Guo nga Universiteti i Turku në Finlandë ka studiuar një prej tyre, të quajtur Aleanca e Debitorëve, në Douban, një rrjet social. I themeluar në vitin 2019, ai ka më shumë se 60,000 anëtarë. Dr. Guo thotë se përdoruesit diskutojnë shpesh për shesi – “vdekje sociale” – që nënkupton prishjen e marrëdhënieve për shkak të “bombardimeve me kontakte” nga përmbaruesit.
Teksa numri i tyre rritet, qeveria ka treguar njëfarë empatie me hallet e debitorëve. Vitin e kaluar ajo ndaloi agjencitë e përmbarimit të kërcënonin me dhunë, të përdornin gjuhë ofenduese apo të telefononin në orare të papërshtatshme. U kujtoi gjithashtu huadhënësve të mbronin të dhënat personale (pra të mos abuzonin me kontaktet). Por ligjet e privatësisë së të dhënave në Kinë zbatohen dobët. Ankesat në forume tregojnë se sjellja e përmbaruesve mbetet e egër dhe ndërhyrëse.
Një reformë që mund të ndihmonte është futja e një ligji për falimentimin personal, siç ndodh në vendet e pasura, për të mbrojtur borxhlinjtë nga kërkesat që do t’i linin pa asgjë. Mungesa e një ligji të tillë ka nxitur rritjen e fajdexhinjve online që ofrojnë kredi me interesa të larta për borxhlinjtë në dëshpërim. Në vitin 2021, Shenzhen u bë qyteti i parë që miratoi një ligj falimentimi për individët. Por ai është zbatuar me kujdes. Deri në shtator 2024, mbi 2,700 vetë kishin aplikuar për mbrojtje nga falimentimi, por gjykatat kishin pranuar vetëm rreth 10% të rasteve. Edhe disa qytete të tjera po eksperimentojnë me skema të ngjashme. Por qeveria nuk ka nxitim: huadhënësit janë shpesh firma shtetërore dhe zyrtarët tremben se një ligj kombëtar do të nënkuptonte tolerim ndaj shpenzimeve të pamenduara apo investimeve spekulative. ■ /The Economist – Përgatiti në shqip – Zoom.al