zoom

In Zoom

Pse emërimi i Belinda Ballukut në postin e zv/kryeministres nuk është lajm i mirë për Veliajn?

Pak javë më parë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku u emërua nga Edi Rama me detyrën e lartë partiake, atë të drejtueses politike të Qarkut Dibër.

Posti më i lartë partiak ky për Ballukun, e cila deri në ato momente, përveç postit të ministrit, ishte thjesht një përfaqësuese e zonës së Kombinatit në kryeqytet, në varësi të Erion Veliajt.

Me këtë hap ajo, jo vetëm që hoqi qafe varësinë politike nga Veliaj, por edhe arriti që të barazohej me të dhe të ulej në të njëjtën tryezë, atë të drejtuesve politikë të qarqeve.

Por kjo vetëm për pak kohë, pasi Rama pak javë më parë e hoqi Veliajn nga pozicioni i drejtuesit politikë të Qarkut Tiranë, duke e emëruar vetëm kryetar të partisë të Bashkisë Tiranë.

Ndërsa sot që me mëngjes, kreu i qeverisë, Edi Rama bëri një tjetër lëvizje, duke prishur edhe më tej balancat brenda Partisë Socialiste. Ai e emëroi Belinda Ballukun si numrin dy të qeverisë.

Ajo është propozuar që, krahas postit të rëndësishëm të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, të mbajë edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Ky emërim i jep edhe më shumë pushtet Ballukut përballë Erion Veliajt në luftën për pasuesin e Edi Ramës edhe në parti.

Ndaj emërimi i saj në postin e numrit dy të qeverisë nuk është një lajm i mirë për Veliajn, i cili e sheh kundërshtaren e tij brenda partisë që të forcojë edhe më shumë pozitat e saja.