Aplikacion
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se Kryeministri Rama dhe kompania e tij kanë përvetësuar truall për ndërtime me vlerë 3 miliardë Euro.
“Afera e Portit të Durrësit deri sot është afera korruptive më gjigande në Europë. Informoj qytetarë shqiptarë se nga ky vendim korruptim anti-ligjor i Edi Ramës, Rama dhe kompania e tij përvetësoi mbi 1 milion metër katrorë truall për ndërtime, baraz kjo me rreth 3 miliardë Euro.
Në këtë aferë me pasoja të rënda strategjike për vendin, me pasoja të rënda që synojnë defaktorizimin e Shqipërisë dhe të rolit të saj strategjik në transportin në BE dhe NATO, Edi Rama parashikon me makinerinë e mashtrimit të tij investimin e rreth 2 miliardë Euro në atë që quhet “marinë turistike”. Njeriu që ka marrë përsipër të bëjë këtë investim ka patur një zotim për investimin e 4 miliardë Euro buzë Savës në Beograd dhe ka përfunduar në një investim prej 20 milionë Euro. Atje prapa tij qëndron Aleksandër Vuçiç, këtu prapa tij qëndron Edi Rama. Por dëmi është i pallogaritshëm sepse me këtë lëvizje, taksapaguesit shqiptarë gjobiten dhe së paku me 1 miliard Euro, që sipas Edi Ramës do përdoren për ndërtimin e Portit të ri në Porto Romano. Kostoja e transportit të mallrave për Shqipëri nga Tivari i Malit të Zi rritet në mënyrë të ndjeshme, pra një gjobë e re për taksapaguesit shqiptarë”, tha kryetari i PD.
Sali Berisha deklaroi se nuk do ta lejojnë realizimin e këtij projekti, ndërsa i bëri thirrje BE-së që të hetojë këtë aferë, siç ai e konsideron.
“Me këtë rast denoncoj dhe njëherë publikisht këtë aferë korruptive të përmasave të papara. I kërkoj Edi Ramës të heqë dorë menjëherë nga përpjekja për ndërtimin e Dubait të tij në Durrës. Ajo nuk do mund të ndodhë dhe i kërkoj Al Abarit të heqë dorë e të mos keqpërdoret nga Kryeministri më i korruptuar i të gjitha kohërave të Shqipërisë. I bëj thirrje BE të përdorë gjithë autoritetin e tij për të ndaluar këtë aferë korruptive. Të nisë një hetim rreth aferës korruptive të Portit të Durrësit dhe të bëjë gjithçka që ky port të mbetet port strategjik i Shqipërisë, rajonit, dhe BE-së në rajon”, tha Sali Berisha.
Kjo është e disata herë që Berisha reagon në lidhje me çështjen në fjalë. Më herët, Ilir Meta bëri thirrje për të mos blerë apartamente të këtij projekti, teksa Zoom.al e ka trajtuar disa herë problematikën e Portit të Durrësit.