Aplikacion
Dilema: Heqje dorë nga paga në vend të mbylljes së fabrikës?
Sindikata IG Metall dhe këshillat e ndërmarrjeve i kanë paraqitur një projekt të tyren kundrejt planit të kursimeve kryesisë së koncernit.
Ford sipas të dhënave të veta ka në Këln, në Saarlouis dhe në Aahen ka gati 16.500 punonjës. Në Këln kanë selinë qendra europiane e koncernit si dhe fabrika e prodhimit të dy modeleve të automjeteve elektrike. Sipas të dhënave të këshillit të ndërmarrjes Fordi ka aktualisht në Këln rreth 11.500 vende pune, që do të thotë, se këtu mund të shkurtohet një në katër vende. Pritshmëritë nga prodhimi i automjeteve elektrike në këtë fabrikë deri tani nuk janë përmbushur. Në vitet 2023 dhe 2024 në fabrikën e Këlnit u investuan gati dy miliardë euro për të mundësuar prodhimin e makinave elektrike. Prodhimi i modelit Fiesta me motor me djegie është ndërprerë. Ford ka pasur probleme edhe me largimin e disa menaxherëve drejtues qëkurse shefi i koncernit në Gjermani, Martin Sander këtë verë papritur u tërhoq duke pranuar një post tek koncerni Volkswagen.
Deri në vitin 2018 Ford ka pasur rreth 20.000 punonjës në Këln, ndërsa deri në fund të vitit 2027 do të mbeten më pak se gjysma. Këshilli i ndërmarrjes deklaroi, se nuk ka asnjë mirëkuptim për këtë vendim të sipërmarrjes. “Eshtë një ditë e zezë për Fordin”, tha shefi i këshillit të ndërmarrjes Benjamin Gruschka duke kritikuar ashpër menaxhmentin. “Unë nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjëherë një veprim kaq të paarsyeshëm të koncernit.” Sipas tij, “javët e muajt e ardhshëm do të ketë një rezistencë të fortë”. Tek Ford në Këln me gjasë do të ketë përballje ndërmjet sipërmarrësit dhe punonjësve, si asnjëherë më parë. “Ne nuk do t’i mbështesim shkurtimet”, tha këshilli i ndërmarrjes. Ngjashëm u shpreh edhe sindikata IG Metall duke paralajmëruar, se planet e shkurtimeve po kërcënojnë masivisht ekzistencën e qendrave gjermane të prodhimit”.
Wüst: “Goditje tjetër e rëndë për industrinë e automobilëve”
Kryeministri i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Hendrik Wüst e konsideroi deklarimin e shkurtimeve të vendeve të punës si një “goditje tjetër e rëndë për Gjermaninë si qendër e prodhimit të automobilëve” dhe si një “sinjal serioz për Këlnin si qendër për prodhimin e automobilëve”. Qeveria e landit do ta ndjekë këtë proces. “Unë pres nga Fordi, që sipërmarrja të vazhdojë t’u përmbahet premtimeve, duke mos ndërprerë kontratat e punës”, tha politikani kristiandemokrat për gazetën Kölner Stadt-Anzeiger. Ai tha, se “është konsultuar me këshillin e ndërmarrjes lidhur me sfondin dhe hapat e mëtejshëm”. Gjithashtu kryeministri i landit është në kontakt edhe me menaxhmentin. Wüst kërkoi një “sinjal të fortë nga federata, për t’i bërë ballë me masa efiakse dhe afatgjata problemit aktual të rënies së kërkesës për automjetet elektrike”.
Menaxheri i Fordit, Marcus Wassenberg theksoi, se dëshiron një biznes të fuqishëm në Europë edhe për brezat e ardhshëm. “Ne duhet për këtë arsye të marrim masa të vështira për të siguruar aftësinë e konkurrencës së Fordit në Europë.” Menaxhmenti apelin e vet drejtuar politikës federale e fokusoi tek nevoja për të përmirësuar kushtet e tregut. Në Gjermani dhe në Europë mungon “një agjendë konsistente dhe e qartë politike për nxitjen e elektromobilitetit”, kritikon menaxhmenti i Fordit.
Humbje të mëdha në segmentin e veturave jo tek Ford
Segmenti i prodhimit të veturave i ka krijuar humbje të mëdha Fordit vitet e fundit, thuhet më tej nga koncerni. Në këtë segment kostot e kalimit në prodhimin e automjeteve elektrike janë shumë të larta. Përveç kësaj sipërmarrja i referohet edhe problemeve me konkurrencën dhe objektivave të rrepta për reduktimin e emisioneve të dioksidit të karbonit. Të tilla objektiva sipas këndvështrimit të Ford janë pengesë për ndarjen e biznesit në prodhim automjetesh me motor me djegie dhe atyre me elektrik.
Por Ford nuk është i vetmi koncern me probleme në këtë drejtim. Edhe të tjerë proudhues të automjeteve ndodhen nën presion. Pas heqjes së subvencionit shtetëror për automjetet elektrike, edhe koniunktura e dobët dhe frika për vende pune i ka frenuar konsumatorët për blerje automjetesh të reja. Edhe prodhuesi më i madh i automobilëve në Gjermani Volkswagen ka njoftuar për mbyllje të fabrikave dhe shkurtimeve të vendeve të punës në Europë. Sindikata IG Metall dhe këshilli i ndërmarrjes janë të gatshëm për të pranuar ulje pagash, në mënyrë që të shkurtohen kostot e prodhimit./DW