Aplikacion
Ndryshimet në buxhet parashikojnë që rreth 400 milionë euro të shpenzohen në tre vitet e ardhshme për të ndërtuar portin e ri në Porto Romano duke hequr dorë nga ideja fillestare për të gjetur financim të huaj për ndërtimin e tij.
Deputetët e opozitës që u rikthyen në komision pas marrëveshjes politike që i jep fund protestës së tyre në Kuvend, e kundërshtuan Aktin Normativ si antikushtetues dhe financimin për portin e ri si një pasojë e marrëveshjes “korruptive” për portin ekzistues.
Deputeti Gazment Bardhi kërkoi që ndryshimet në buxhet të kalonin në të njëjtën procedurë kushtetuese që është parashikuar për miratimin e Buxhetit dhe jo me Akt Normativ të Këshillit të Ministrave.
“Akti Normativ bie ndesh me Kushtetutën”- tha ai duke e cilësuar procedurën si marrje të kompetencave të Kuvendit nga Këshilli i Ministrave. Më tej ai kundërshtoi ndryshimet e propozuara dhe alokimin e fondeve për projektin e ndërtimin e portit të ri tregtar.
“Kur është miratuar ligji korruptiv për Portin e Durrësit kanë dalë garant ministrat se do të ketë zero para nga buxheti i shtetit sa i takon projektit të portit të ri”- tha ai duke shtuar se këto janë pasojat që sjell ligji klientelist për faljen e portit pa garë dhe pa transparencë.
Ndërsa deputeti Oerd Bylykbashi bëri një analizë shifrash për humbjet, që sipas tij, ka pësuar shteti shqiptar nga vendimet e qeverisë për dhënien e Portit të Durrësit. Sipas tij, shqiptarët do të humbin një port të rëndësishëm funksional, financimin e Bashkimit Europian për rritjen e kapacitetit të tij, faljen e tokës dhe taksave dhe ndërkohë po u shtohet një fature e rëndë për ndërtimin e një porti të ri.
“Praktikisht ajo që po bëni ju është se po i hiqni rreth 400 milionë dollarë nga xhepat e shqiptarëve për të ndërtuar një gjë që e kanë sot”- theksoi ai.
Përfaqësuesit e qeverisë dhe deputetët e PS-së në komision tentuan ta shihnin këtë financim si një gjë të ndarë nga marrëveshja për konçensionin e Durrës Yacht Marina.
“Kur është bërë diskutimi për projekt-buxhetin e vitit 2024 është diskutuar porti i ri tregtar në Porto Romano, që mos ta ngatërrojmë me projektin e Portit të Durrësit, që ishte planifikuar me financim të huaj”- tha kryetarja e komisionit Klotilda Bushka, duke iu referuar relacionit të qeverisë.
Edhe zëvendësministrja e Financave, Elda Xhemali shtoi pas saj se, “ky financim nuk ka lidhje me marrëveshjen që i referoheni ju”.
“Ky projekt ka qenë në Buxhetin e 2024, e vetmja gjë që shtohet me Akt Normativ është TVSH”- tha ajo duke sqaruar më tej se “ka qenë parashikuar me financim të huaj dhe po bëhet me financim të brendshëm”.
Përgjigjia e saj u konsiderua si një “gënjeshtër e re” nga deputetët e opozitës, të cilët iu referuan premtimeve të bëra më para nga përfaqësues të qeverisë në komision se porti i ri do të bëhej me zero financim nga buxheti i shtetit.
“Nëse s’do prekej ky port që kemi, nuk ishte nevoja të merrnim 400 milionë nga xhepat e shqiptarëve”- replikoi Bylykbashi.
Sipas Aktit Normativ 9.8 miliardë lekë do të duhet të jepen këtë vit për ndërtimin e portit të ri në Porto-Romano ndërsa në dy vitet në vijim pritet të jepen edhe 14.7 miliardë lekë në vit për një total prej 39.2 miliardë lekësh.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama e dha me koncesion portin e Durrësit pas negociatave private, në të cilat, në së paku në një rast, u gjetën duke ngrënë në një restorant luksoz në Dubai, të ftuar nga kompania që fitoi koncesionon.
Relacioni i qeverisë që shoqëron projektligjin thotë se ndryshimi i buxhetit përmban mes të tjerash: “Riklasifikimin e projektit të ‘Portit të ri tregtar – Porto Romano, Durrës’, si investim me financim të brendshëm.” Sipas relacionit, “për këtë projekt, i cili në ligjin fillestar të buxhetit 2024 ishte planifikuar me financim të huaj, është kërkuar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të financohet me burime të brendshme, përkatësisht në vlerën 9.8 miliardë lekë (me TVSH) për vitin 2024 dhe nga 14.7 miliardë lekë për secilin vit buxhetor 2025-2026.”
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Evropian kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që Shqipëria të mos bëjë ndryshime në ligjin e buxhetit me akt normativ por t’ia nënshtrojë procedurave të rregullta parlamentare për shkak se në sistemet demokratike buxheti i shtetit duhet të miratohet nga parlamenti pas debateve të plota ndërsa aktet normative janë instrumente që i lejojnë qeverisë të ndjekë një rrugë të shkurtër që përfshin kryerjen e shpenzimeve pa miratim paraprak parlamentar dhe shmangien e procedurave të rregullta dhe debateve ballafaquese.
Ndryshimi i buxhetit me akt normativ gjithsesi është një traditë që ka nisur nga qeveria e mëparshme dhe është vijuar nga qeveria aktuale./ Reporter.al