Aplikacion
Policia italiane ka finalizuar një operacion kundër një grupi të organizuar shqiptarësh të dyshuar për grabitje, duke arrestuar pesë persona që vepronin në zona të ndryshme të vendit.
Sipas autoriteteve, banda ishte kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për banorët e Lignano Sabbiadoro, pasi kishte në shënjestër banesat luksoze dhe vilat e personave me të ardhura të larta.
Hetimet lidhen me disa episode grabitjesh, ndërsa deri tani janë dokumentuar të paktën dy raste. Njëri prej tyre ndodhi në orët e para të mëngjesit të 15 korrikut, kur katër persona të maskuar hynë me forcë në një apartament në Via Latisana.
Sipas hetimeve, autorët sulmuan fizikisht pronarin e banesës, duke e detyruar të dorëzonte rreth 100 mijë euro në para dhe bizhuteri me vlerë. Pas grabitjes, ata u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Biznesmeni i plagosur u ndihmua fillimisht nga rojet private të sigurisë që patrullonin zonën, ndërsa më pas u njoftuan forcat e policisë, të cilat nisën hetimet për identifikimin e autorëve.
Pas një tjetër aksioni të zhvilluar në Orzinuovi, në provincën e Brescias, efektivët arrestuan pesë shtetas shqiptarë të dyshuar si pjesë e të njëjtit grup kriminal. Sipas mediave italiane, ata ishin nën hetim edhe për një seri grabitjesh të tjera të kryera në provincën e Udines.
Autoritetet dyshojnë se e njëjta bandë qëndron pas disa sulmeve të dhunshme ndaj banesave, ndërsa ngjashmëritë në mënyrën e veprimit dhe objektivat e përzgjedhur kanë forcuar lidhjen mes ngjarjeve.
Gjatë operacionit policor, një i dyshuar tjetër arriti të largohej, duke u hedhur nga ballkoni i banesës ku ndodhej dhe duke u arratisur nëpër çatitë e ndërtesave. Kërkimet për kapjen e tij vijojnë./ Zoom.al