Aplikacion
Sipas Policisë së Tiranës, i mituri në video është një 16-vjeçar që jeton në SHBA.
“Në lidhje me një video të publikuar në një portal, ditën e djeshme, ju informojmë se:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, kanë identifikuar shtetasin 16 vjeç që shfaqet në video, i cili banon në SHBA.
Në vijim të veprimeve për rastin, janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për fillimin e procedimit penal, për 16-vjeçarin.
Ky shtetas, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka bërë thirrje për nxitje të urrejtjes ose grindjeve, për mbajtje të armëve të ftohta nga fëmijët dhe për përdorimin e tyre në konflikte.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal”,”- njoftoi policia.
Në video ai bashkëbisedon me kushëririn e autorit të vrasjes së Martin Canit. Mes të tjerash, djali përgëzon autorin duke e quajtur “gjuajtës” dhe planifikon që kur të vijë në Shqipëri, edhe ai të futet në një klasë dhe të vrasë dikë me thikë.
“Edhe unë o has, po nuk e thera njërin sa të vij në Shqipëri, do jem më v*rik*rsi. A do të shkojmë ta therim bashkë? Kushoja jot e bëri një therje. Do ta therim edhe ne një? Do i shkojmë bashkë o zemra, i shkojmë brenda në shkollë, i shkojmë në klasë. Unë do ta mbaj, ti do t’ia futësh me thikë”, shprehet ai.
Kjo video u konsiderua nga të gjitha si paralajmërim për vrasjen e radhës dhe si nevojë për mbylljen e TikTok-ut./ Zoom.al