zoom

Bota

Plani i Ruandës “trazon” qeverinë britanike, jep dorëheqjen ministri

Plani i qeverisë britanike për të dëbuar emigrantët e paligjshëm në Ruanda ka trazuar kabinetin qeveritar.

Pas largimit të Sekretares për Punët e Brendshme, Suella Braverman, ministri i emigracionit në Britaninë e Madhe, Robert Jenrick ka dhënë dorëheqjen.

Lajmi, sipas mediave britanike, është konfirmuar edhe nga vetë Sekretari i Brendshëm, James Cleverly.

Në një dalje për të konfirmuar planin e Ruandës, ai u pyet nga deputeti Ashely Dalton nëse ministri kishte dhënë dorëheqjen dhe Cleverly u përgjigj: “Kjo është konfirmuar”.

Miqtë e Jenrick thanë për mediat se ai ka dhënë dorëheqjen, por ai vetë nuk e ka konfirmuar diçka të tillë publikisht.

Sekretari britanik i Punëve të Brendshme, James Cleverly, mbërriti të martën në Ruandë për të nënshkruar një marrëveshje të re për dërgimin e azilkërkuesve në vendin afrikan, pasi Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar e shpalli të paligjshme skemën e mëparshme të dëbimit.

Plani i Ruandës qëndron në qendër të strategjisë së qeverisë britanike për të reduktuar emigracionin dhe po shihet nga afër nga vende të tjera që po konsiderojnë politika të ngjashme.