Aplikacion
SPAK ka dërguar për gjykim ish-oficerin e policisë gjyqësore, Igli Haxhiaj, pasi akuzohet për shpërdorim detyre, nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion pasiv në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas SPAK, Haxhiaj dyshohet se ka zbuluar informacione sekrete hetimore tek kontigjentë kriminalë të lidhur me Visin e Pojës, Elvis Doçi.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe zvicerane, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore. Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimeve që lidhen me veprat penale: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Ish-oficeri ndodhet në masën “arrest në burg” që prej nëntorit 2025, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet në GJKKO.