zoom

Aktualitet

Përdhunoi 11-vjeçaren në Kosovë/ E kaluara e errët e Ekrem Rexhepit, i burgosur 7 herë më parë

26-vjeçari Ekrem Rexhepi ra në prangat e policisë disa ditë më parë, nën akuzë se ishte një nga pesë autorët e përdhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë.

Rexhepi së bashku me 4 persona të tjerë, 3 prej të cilëve minorenë, abuzuan seksualisht për rreth 7 orë me të miturën, pasi e ngacmuan atë fillimisht në një park. Por kjo nuk është hera e parë që 26-vjeçari futet në telashe me drejtësinë.

Mësohet se ai ka qenë i burgosur plot 7 herë më parë. Nga viti 2007 e deri në vitin 2022, 26-vjeçari është arrestuar shtatë herë. Zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi, ka dhënë detaje për veprat penale dhe ditët që ka kaluar në burg i riu.

Në vitin 2007, Rexhepi u mbajt në Qendrën Korrektuese në Lipjan për katër ditë, për veprën penale “Aksident Trafiku”. Atje u kthye sërish pas gjashtë vjetësh, por për një vepër tjetër. I riu qëndroi në këtë qendër për 2 muaj e 29 ditë për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Katër vite më vonë, ai u dërgua në mbajtje për veprën penale “Vjedhje Grabitqare”, ku ndenji 136 ditë.

“Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 12.07.2007 deri me 16.07.2007 për Veprën Aksident Trafiku dhe në këtë institucion ka qëndruar 4 ditë. Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 23.05.2013 deri me 21.08.2013 për Veprën Vjedhje e rëndë në tentative dhe në këtë institucion ka qëndruar 2 muaj e 29 ditë. Ka qenë në Qendrën Korrektuese Lipjan nga data 22.12.2017 deri me 07.05.2018 për Veprën Vjedhje Grabitqare dhe në këtë institucion ka qëndruar 136 ditë”, ka deklaruar Gashi.

Dy muaj pas lirimit, ai do dërgohej sërish në mbajtje për të njëjtën vepër, ku kishte qëndruar 56 ditë.

Veprën penale “Vjedhje Grabitqare”, Rexhepi e kreu sërish pas tre muajsh. Kështu e çuan sërish në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ku e mbajtën 21 ditë.

Dy vjet pas lirimit, 26-vjeçari u kap sërish duke vjedhur. Për këtë vepër, ai u mbajt në paraburgim katër ditë në Prishtinë. Veprën e fundit penale, para dyshimit për dhunim, Rexhepi e kreu në janar të këtij viti.

Asokohe u akuzua për vjedhje të pyllit, vepër për të cilën ndenji në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë për 31 ditë./ Zoom.al