zoom

Aktualitet

Pasojat që ka lënë “Ciaran” deri tani, harta e qarqeve më të prekura

Stuhia “Ciaran” prej disa ditësh ka goditur Europën, teksa të premten përfshiu edhe vendin tonë. Si pasojë e shiu të dendur dhe erës së fortë, ka pasur disa problematika në qytete të ndryshme të vendit, por për fat të mirë pa lëndime në njerëz. Një ditë më parë, në Tiranë pati bllokime të përkoshme të rrugës për shkak të ngritjes së nivelit të Lanës në nivelin e rrugës, kryesisht në zonën e “Pallatit me Shigjeta”. Por, sot situata është nën kontroll. Sakaq, probleme aktualisht ka në disa qarqe të tjera të vendit. Të premten, moti i keq shkaktoi edhe dy aksidente, po me kaq të vdekur, në akset Kukës-Milot dhe Fier-Seman.

Në Dibër, raportohet se vijon të ketë probleme në kalimin e “Rrugës së Arbrit”. Niveli i asfaltit është ulur, ndërsa raportohet për një banesë të dëmtuar nga reshjet. Po ashtu probleme kanë njësitë e thella, si Lura, Kalaja e Dodës, etj.,  ku ka pasur rrëshqitje gurësh. Era e fortë ka shembur pemët dhe si pasojë janë dëmtuar shtyllat duke u ndërprerë energjia elektrike në disa zona. Në fshatin “Fshat”, ka pasur çarje të asfalti, ndërsa shtabi i emergjencave është në gatishmëri. të plotë.

Edhe sot, kanë vijuar reshjet në qarkun e Gjirokastrës. Problematika kryesisht ka pasur në Përmet, ku u bllokuan 23 turistë në Kanionin e Langaricës, por u evakuuan disa orë më pas pa lëndime.

Moti i keq ka përfshirë edhe qarkun e Korçës, por deri tani nuk janë shkaktuar përmbytje. Ka pasur vërshime të ujit, por nuk janë shkaktuar problematika. Aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa gjatë mbrëmjes nga era e fortë në Pedonale, është shkëputur një pjesë suvaje, dhe ka rënë mbi tendën e një lokali. Si pasojë ka mbetur i plagosur lehtë një person në shpatull.

Në qarkun e Kukësit ka pasur rrëshqitje dherash, në akset nacionale. Akset problematike mbeten Kukës-Shishtavec, Kukës- Peshkopi, Bajram Curri- Qafë Mali dhe Qafë Mali- Kukës. /ZOOM.AL/