zoom

Aktualitet

Pasaportat më të fuqishme për 2024-n/ Ku renditet ajo shqiptare

Pasaporta shqiptare renditet në vendin e 86 nga 199 shtete për vitin 2024, sipas indeksit të Nomad Capitalist, që vlerëson fuqinë e dokumentit. Ajo është ngjitur me 3 vende nga viti i shkuar.

Sipas 4 matësve, Shqipëria ka 78 pikë dhe është rritur me 3 pikë nga një vit më parë, por kjo vetëm për shkak të rritjes së numrit të destinacioneve dhe jo ndonjë përmirësimi.

Për 2024-n, një qytetar me pasaportë shqiptare mund të udhëtojë në 120 vende, nga të cilat 71 pa viza, 44 me viza dhe disa me viza elektronike.

Sipas taksimit, Shqipëria merr 30 pikë pasi ajo lejon të huajt të zhvendosin atje të ardhurat e tyre për të shmangur taksimin. Sipas perceptimit të të huajve për shqiptarët dhe Shqipërinë, Nomad mbështetet në Raportin Botëror të Lumturisë, Indeksin e Zhvillimit Njerëzor dhe i jep pasaportës shqiptare 40 pikë, nga 50 më e larta dhe më pozitivja.

Në treguesin e shtetësisë së dyfishtë, vendi ynë ka pikët maksimale, 50, pasi nuk ka kufizime për këtë.

Liria, që përfshin lirinë e medias, monitorimin nga qeveria, liri individuale etj, vlerësohet me 30 pikë për Shqipërinë, nga 50 maksimumi.

Shqipëria qëndron pas vendeve të rajonit në këtë Indeks, ndonëse të gjitha ato kanë pasur përkeqësim. Serbia (67), Mali i Zi (79) dhe Maqedonia e Veriut (83).  Kosova, është ngritur me 50 vende dhe renditet ne vendin e 117 nga 199 vende në indeks.

Pasaporta më e fuqishme në botë vlerësohet ajo e Zvicrës, ndjekur nga Irlanda dhe Portugalia. Pasaporta e Afganistanit renditet e fundit.