Aplikacion
Kreu i qeverisë ua prezantoi shqiptarëve Alabbarin si “ndër më pasanikët në Emirate”, duke shtuar se ata duhet të jenë të lumtur që një investitor kaq i pasur zgjodhi pikërisht shtëpinë për të derdhur miliardat e tij.
Edhe për projektin e portit të Durrësit që pritet të zgjasë mbi 7 vite, Alabbar dhe grupi i tij, që kanë parashikuar një kosto prej 2 mld eurosh, nuk i kanë paratë.
Ata kanë vetëm 180 milionë euro të deklaruara, një shumë kjo e papërfillshme në raport me investimin total.
Pjesën tjetër të parave “miliarderi i Ramës” shpreson ta marrë nga shitja e apartamenteve ende pa i ndërtuar, pra me paratë e shqiptarëve.
Kryesuesit e listës së njerëzve më të pasur të Emirateve të Bashkuara, sipas Forbes:
Nassef Sawiris
Issad Rebrab dhe familja e tij
Naguib Sawiris
Najib Mikati
Taha Mikati
Hussain Sajwani
Abdulla bin Ahmad Al Ghurair dhe familja e tij
Mohamed Mansour
Suhail Bahwan
Abdulla Al Futtaim dhe familja e tij
Më shumë se port, qëllimi kryesor i projektit të Marina&Jahte Durrës ishte kthimi i hapësirës në një kompleks rezidencial luksoz që do të tërhiqte investitorë dhe individë elitar nga e gjitha bota, një formë shpagimi edhe për kostot e Alabbar.
Këtu qeveria shqiptare propozoi Pasaportat e Arta si një mekanizëm akoma më bindës për arabët e pasur, që mund të përfitonin dhe lehtësira fiskale në vendin tonë. Ata do të ishin targeti kryesor i projektit, paratë e të cilëve do të shlyenin Alabbar deri në 30 vite.
Por, pas presioneve të vazhdueshme nga BE, pak ditë më parë, Rama u tërhoq nga ideja e Pasaportave të Arta, duke e kufizuar jo pak “turizmin elitar” që do të pushtonte Durrësin.
I “lënë në baltë” nga premtimi i qeverisë për të tërhequr investitorët me Pasaporta ari, kush do t’i blejë apartamentet në Durrës?
Opozita thotë se një tjetër burim i ndërtimit janë paratë e drogës dhe korrupsionit.
Eagle Hills është vetëm një kompani guackë me 10.000 lekë kapital dhe asnjë aktivitet.
“Eagle Hills Real Estate Development shpk, me të cilën ka bërë kontratën qeveria Rama, nuk ka ASNJË lidhje pronësore, juridike apo financiare me Emaar Group apo me Eagle Hills Development të Abu Dabit. ASNJË LIDHJE. ZERO. Eagle Hills në Shqipëri me kapital 10 mijë lekë është kompani guackë (pra, kompani pa aktivitet dhe pa kapital), në pronësi të një kompanie guacke (North Hill), e cila edhe kjo është në pronësi të një tjetër kompanie guackë (Symphony Global), që është edhe kjo në pronësi të një tjetër kompanie guackë (Symphony Investment)”, denoncoi deputeti Agron Shehaj.
Sipas tij, zinxhir kompanish guackë njëra pas tjetrës është tipik për skemat e pastrimit të parave apo riciklimit të parave të korrupsionit apo krimit./Zoom.al