zoom

Aktualitet

Pas tymit të korrupsionit, aferës së inceneratorëve i dalin flakët. Plehrat po digjen si në ’90

Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Elbasan mori sërish flakë. Tymi pushtoi gjithë zonën, duke krijuar ndotje të lartë, çka alarmoi qytetarët. Zjarrfkësit u angazhuan për disa orë për ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa në zonë shkuan zyrtarët më të lartë vendor dhe deputetë të opozitës.

Policia tha se “zjarri u shkaktua nga një shkëndijë në landfill, e krijuar si pasojë e shpërbërjes së mbetjeve”, ndonëse prokuroria, organi që kryen hetimet, nuk ka përfunduar ndonjë proces hetimor për të dalë në këtë konkluzion.

Por deputeti i PD, Bledi Himçi dha një tjetër variant. Ai tha se zjarri është vënë qëllimisht me urdhër të kryebashkiakut Gledian Llatja, me qëllim mbulimin e vjedhjeve që po ndodhin aty dhe për të ulur sasinë e plehrave pasi inceneratori nuk punon.

“Kjo zjarrvënie është e qëllimshme, e vendosur nga vetë Bashkia Elbasan. Padiskutim është vendosur ditë të shtune, kur institucionet janë pushim, mediat janë pushim në përgjithësi, që të kishte sensibilizim sa më të pakët. U vendos në mes të natës, ku temperaturat janë më të ulëta sesa gjatë ditës, jemi në periudhë vjeshte, ku s’ka temperatura të larta. Pra jemi para një zjarrvënie të qëllimshme. Kjo zjarrvënie është caktuar me urdhër të posaçëm të kryetarit të Bashkisë Elbasan, por edhe nga instanca të tjera. Dhe që duan të mbulojnë vjedhjen që ndodh çdo ditë në incenerator, inceneratori ka punuar vetëm 3 muaj, e gjatë gjithë kohës që ne flasim kjo fushë është kthyer në venddepozitim, pra në landfill të mirëfilltë. Mali me plehra ka marrë përmasa dhe për të ulur sasinë e mbetjeve i vihet flaka”, tha Himçi.

Incenceneratori i Elbasanit ka punuar vetëm 3 muaj, ndërsa një sërë ish -zyrtarësh të lartë, përfshi ish -ministrin Lefter Koka dhe ish -deputetin socialist Alqi Bllako janë në burg për korrupsion, ndërsa ish -zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në arrati së bashku me bosët e inceratorëve, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja.

Inceneratori i Elbasanit

Ndonëse ka kushtuar 26 milionë euro, inceneratori nuk e ka zgjidhur problemin e mbeteve. Tani, plehrat grumbullohen si në vitet 90, me ndryshimin që landfilli është më i strukturuar.

Landfilli i Elbasanit është djegur edhe më parë pas ndërtimit të inceneratorit.

Inceneratori i Fierit

Edhe landfilli i inceneratorit të Fierit u përfshi disa kohë më parë nga flakët. Edhe në këtë rast, zëra të opozitës thanë se zjarrvënia ishte e qëllimshme, për të ulur sasinë e plehrave, si pasojë e mos vënies në punë të inceneratorit.

“Inceneratori i Fierit u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 32 milionë euro, por nuk është vënë asnjë ditë në punë dhe nuk djeg mbetje”, -raporti BIRN në 2023. Por sipas administratorit Fraudin Arapi, nevojiteshin edhe 2.8 milionë euro për ta vënë në punë, para që qeveria ka refuzuar t’i paguajë.

Në Tiranë, landfilli ka shpëtuar nga zjarret. Aty mbetjet inkapsulohen, për shkak se incenceratoir Inceneratori i Tiranës nuk është ndërtuar ende, ndonëse kompania vijon të paguhet sikur mbetjet digjen. /Zoom.al

Postime të lidhura