zoom

Art & Kulturë

Pas Butrintit dhe Spaçi i kalon një Fondacioni. Do të administrojë dhe minierat e bakrit

Përshkak të rëndësisë kombëtare dhe historike që mban, ambjentet e burgut të Spaçit do të bëhen muze dhe do të jenë monument kulture.

Kështu thotë ministria e Kulturës në një dokument të hedhur për konsultim, duke shtuar se monumenti është në rrezik degradimi.

Sipas draftit, ministria dhe shoqatat vendase kanë shqyrtuar disa skenarë dhe ai më i miri rezulton të jetë i njëjtë me atë të Butrinit, kalimi në dorë të një Fondacioni, që mund të jetë Fondacioni për kujtesën e rezistencës në Spaç.

Menaxhimi i pasurisë kulturore do t’i transferohet fondacionit të krijuar për këtë qëllim, i cili do të administrojë, ruajë, mbrojë pasurinë, rregullojë aksesin dhe shërbimet për publikun dhe promovojë pasuritë kulturore dhe veprimtaritë studimore dhe kërkimore sipas ligjit.

Në total, i gjithë projekti parashikohet të ketë një kosto 4.2 milionë euro.

Ndonëse drafti fokusohet tek Spaçi si monument, aty ka të dhëna të rëndësishme dhe për kapacitetin ekonomik të saj. Në Spaç ka 9 miniera bakri, me një hapësirë toke mbi 3 mijë metra2, të cilat janë administruar nga shoqëria tregtare “Alb Bakër”. Por ministria thekson se këto prona nuk i përkasin me letra shoqërisë, kështu që do t’i kalojnë pushtetit vendor apo “subjekteve juridike të themeluara prej tyre”, në këtë rast Fondacionit. Disa nga këto prona janë brenda zonës së mbrojtur të Spaçit.

 

Në projektligj parashikohet ndërtimi i një muzeu të posaçëm; Muzeut të Burgut dhe Kampit të Punës së Detyrueshme, i cili do të vendoset në fshatin Reps në fund të luginës, duke ofruar akses më të madh për të gjitha llojet e vizitorëve dhe hapësirë të bollshme parkimi. Muzeu me sitin do të lidhen me shërbim autobusi./Zoom.al