zoom

Bota

Njihuni me Eric Zemmour, një kandidat i mundshëm për president në Francë i njohur ndryshe si Trump-i francez

Popullariteti i kandidatit të mundshëm presidencial, francez, Eric Zemmour ka qenë meteorike. Ai është shumë më shumë prezent në media, sidomos në prime time, më shumë nga rivalët e tij, si dhe sondazhet e tregojnë në rritje të vazhdueshme.

Javën e kaluar një sondazh tregonte se Zemmour tejkalonte kandidaten Marine Le Pen. Sondazhi i Harris Interactive parashikoi që Zemmour do të merrte 17% të votave, krahasuar me 15% për Le Pen dhe 24% për Emmanuel Macron. Por Macron, presidenti aktual, ende nuk e ka konfirmuar rikandidimin.

Zemmour është një figurë polemike për shkak të retorikës së tij nxitëse ndaj ndasive për emigracionin dhe Islamin. Zemmour akuzohet për degradim të debatit publik parazgjedhor dhe për qëndrimet e tij që nxitin ndasitë në Francë. Kurse mbështetësit e tij thonë se ai shërben si një freskues në një shoqëri të rrethuar nga ‘korrektësia politike’, pra nga ata që i fshehin mendimet e vërteta për shkak të ruajtjes së etikët, të të qenit politikisht korrekt.

Ndërkohë, Zemmour që vihet në shënjestër për nxitje të urrejtjes, po dominon lajmet në Francë.

“Ai gjendet kudo në media. Ashtu si Trump. Është përpara të gjithëve sepse ata që bëjnë deklaratat më skandaloze kanë përparësinë sot”, thotë një ish-këshilltar i ish-Presidentit François Hollande.

Trump-i francez?

Trump dhe Zemmour kanë histori të ngjashme të jetës, por edhe pikëpamje të ngjashme. Trump fitoi një vëmendje të madha në Fox Neës përmes “The Apprentice”, ndërsa Zemmour u shfaq ngado, në çdo program televiziv dhe në edicionet informative, gjatë gjithë kohës. Të dy njësoj: Nuk janë politikanë karriere.

Ashtu si Trump, Zemmour ka pushtuar mediat prej qëndrimeve të tij ndaj emigracionit dhe premtimeve për një qasje më të ashpër ndaj kësaj çështjeje. Ai sugjeroi rivendosjen e emrave katolikë për fëmijët e lindur në Francë, si një mënyrë për të përmirësuar integrimin e tyre dhe tha se ishte Pro dëbimit të të gjithë emigrantëve të paligjshëm.

“I vetmi dallim mes tyre është se Donald Trump udhëhoqi një betejë anti-intelektuale dhe punoi shumë për të shfaqur përbuzjen e tij ndaj intelektualëve. Por në Francë, një lustër intelektuale është e nevojshme për një president”, tha sociologu i majtë Philippe Corcuff.

Nëpër redaksitë në Francë, gazetarët nuk mund ta shmangin “yllin e ri televiziv”, edhe nëse nuk e pëlqejnë atë.

Sipas agjentit mbikëqyrës të medias Acrimed, Zemmour-it ishte i pranishëm në 16 programe televizive në prime time, muajin e kaluar. Thënë ndryshe, mbi 11 orë transmetimi, krahasuar me dy orë për kandidaten socialiste Anne Hidalgo dhe pak më shumë se një orë për Le Pen.

Zemmour ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e tij dhe “Les Républicains” ende nuk kanë vendosur për një kandidat, duke e bërë votimin të paparashikueshëm. Kanë mbetur gjashtë muaj deri në raundin e parë të zgjedhjeve të prillit.