zoom

Të gjitha

Një tjetër yll botëror i shtohet “Sunny Hill Festival”

Ylli i muzikës botërore J Balvin do jetë në Sunny Hill Festival dhe lajmi është dhënë nga organizatorët në faqet zyrtare të festivalit në rrjetet sociale. José Álvaro Osorio Balvín, i njohur me emrin e artit si J Balvin, është një këngëtar kolumbian, i cilësuar edhe si “Princi i Reggaeton”. Ai është një nga artistët më të shitur të muzikës latine me shitje prej më shumë se 35 milionë disqe në mbarë botën.

Në vitin 2020 ai bashkëpunoi me Dua Lipën për këngën ‘One Day’ një nga hitet më të mëdha të asaj vere që sot numëron 300 milionë klikime.

‘Sunny Hill’, ndryshe nga herët e tjera, këtë vit do mbahet edhe në Prishtinë në datat 4, 5,6 dhe 7 gusht, edhe në Tiranë. Një edicion i veçantë me një line-up do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht. Gjithashtu bëhet e ditur se përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion do të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror të cilët do marrin pjesë.

Dua Lipa ia ka dalë të sjellë në Prishtinë disa prej emrave më në zë në botë, ku sigurisht fronin e mban Miley Cyrus. Ylli amerikan ndezi Prishtinën për disa minuta në 2019. “Ndihem e nderuar që jam në Sunny Hill Festival dhe festoj me mikeshën time, Dua Lipën,”– shkroi Miley në rrjetet sociale ku ndiqet nga disa qindra miliona njerëz, teksa ajo dhuroi 25,000 euro për ndërtimin e një akademie muzikore në Prishtinë.

Në listë nuk mund të mos përmendim dy DJ: Martin Garrix(2018) dhe Calvin Harris(2019). Dy artistët kanë bashkëpunuar të dy me Duan dhe nuk mund t’i thoshin “Jo” asaj./L.K

/Zoom.al