Aplikacion
Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e një parku fotovoltaik në Boçovë të Fierit, një investim prej mbi 80 milionë eurosh dhe kapacitet prej 82 megavatësh, që cilësohet si një nga investimet më të mëdha të energjisë së rinovueshme në Shqipëri. Megjithatë, kjo ndërmarrje ngre dyshime serioze dhe pyetje të shumta për transparencën dhe aftësinë reale financiare të kompanisë përgjegjëse për projektin.
Albania Solar Power, kompania që do të ndërtojë dhe operojë këtë central për 49 vite, është krijuar vetëm në shkurt të vitit 2024 me një kapital prej vetëm 100,000 lekësh. Deri më tani, ajo nuk ka paraqitur bilance apo dokumente që tregojnë kapacitetet ekonomike dhe teknike për të realizuar një investim me vlerë kaq të madhe, çka ngre pikëpyetje të mëdha mbi seriozitetin dhe qëndrueshmërinë e projektit.
Pronari i kompanisë, Ëngjëll Agalliu, është një figurë e re dhe e panjohur në sektorin e energjisë, me një sfond pune që kufizohet në pozicione të ulëta në industrinë e ndërtimit, konkretisht në sektorin e asfaltimit, në një kompani të lidhur me një emër të njohur politik dhe biznesi, Pëllumb Salillari. Mbyllja e profilit të tij në Facebook dhe ndryshimet në LinkedIn pas publikimit të lajmit ngrenë më shumë pikëpyetje sesa japin përgjigje.
Një tjetër çështje e paqartë mbetet mënyra se si është siguruar toka publike në Boçovë, ku do të ndërtohet parku diellor. Në kushte normale, procesi duhet të jetë transparent dhe i hapur për konkurrentët nëpërmjet institucioneve shtetërore dhe bashkive, por deri tani nuk ka informacion të qartë për këtë.
Në mungesë të transparencës dhe informacionit të detajuar, ky investim, megjithë potencialin e tij ekonomik dhe energjetik, ngre dyshime mbi praktikën dhe pasojat që mund të ketë për sektorin dhe për politikat publike në Shqipëri. Historia e Ëngjëll Agalliut, nga punonjës i thjeshtë në asfalt në investitor me projekt 80 milionë eurosh, është një rast që duhet hetuar me kujdes për të sqaruar të gjitha hapat dhe interesat pas tij./ Zoom.al

