zoom

Aktualitet

Ngeli në qeli/ Reagon Meta: Nuk kanë shans të…

Ngeli në qeli/ Reagon Meta: Nuk kanë shans të…

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi pas vendimit të GJKKO-së për ta lënë në burg, duke rrëzuar kërkesën e tij për lehtësim të masës së sigurisë.

Në rrjetet sociale, Meta akuzoi SPAK-un se vepron nën ndikimin politik të mazhorancës socialiste dhe se çështja e CEZ-DIA, sipas tij e mbyllur në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe në arbitrazhin ndërkombëtar, po rihapet për arsye politike.

Ai përmendi përfshirjen e emrave si Charles McGonigal dhe Edi Rama në një “skemë shantazhi” që daton që nga viti 2019.

Meta theksoi se përballja gjyqësore do të jetë publike, duke shtuar se në fund do të dalë në pah e vërteta përpara qytetarëve shqiptarë dhe opinionit ndërkombëtar.

Reagimi i Ilir Metës

Asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”.
Falenderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit.
Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falenderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.
As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta.
Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisë gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, (çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës), në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.
Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova.
Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS.
Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.
Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë.

Postime të lidhura