zoom

Aktualitet

Nga mekanizmat mbrojtës tek informimi, qeveria prezanton planin kundër dhunës seksuale tek fëmijët

Është nënshkruar këtë të hënë “Pakti Kombëtar Kundër Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve në Shqipëri”. Ky pakt synon mbrojtjen e posaçme të fëmijëve nga dhuna seksuale me burim internetin por edhe në jetën e përditshme.

Ky pakt nënkupton një koordinim dhe një bashkëveprim të të gjithë aktorëve në të gjithë territorin e vendit për mbrojtjen e fëmijëve, pikë së pari, nga dhuna seksuale.

Pakti u nënshkrua nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Duke folur për reformën e re të saposhpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në arsimin parashkollor, Manastirliu u shpreh se ajo do të prekë të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe edukimin në fëmijërinë e hershme.

“Do të rishikohet jo vetëm paketa e akteve ligjore e nënligjore, jo vetëm zgjerimi dhe forcimi i mekanizmave të inspektimit periodik, duke përdorur edhe teknologjinë, por do të bëhet edhe vlerësimi periodik psiko-social, jo vetëm për mësuesit por edhe për edukatoret e çerdheve dhe kopshteve”, theksoi ajo.

Pakti i firmosur sot parashikon forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit, për të luftuar dhe mbrojtur fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe e shfrytëzimit seksual, bullizmit, manipulimit dhe nxitjes për përdorimin e substancave, si dhe gjuhës së urrejtjes në internet dhe në jetën reale.

Në këtë Pakt, parashikohet raportimi i çdo incidenti dhe faqeje të rrezikshme për fëmijët pranë linjës kombëtare për internet të sigurt në Shqipëri  “iSIGURT.AL/ ALO 116-111”, rritja e ndërgjegjësimit përmes nismave dhe fushatave konkrete për informimin dhe edukimin për të drejtat dhe për mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo forme të dhunës si dhe përmirësimi i politikave, standardeve, protokolleve dhe planeve konkrete të veprimit për mbrojtjen e fëmijëve.

PIKAT E PAKTIT KOMBËTAR KUNDËR DHUNËS SEKSUALE NDAJ FËMIJËVE

1. Forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit, për të luftuar dhe mbrojtur fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe shfrytëzimit seksual, bullizimit ekstrem, manipulimit dhe nxitjes për përdorimin e substancave, si dhe gjuhës se urrejtjes, në internet dhe në jetën reale.

2. Raportimin e çdo incidenti dhe faqeje të rrezikshme për fëmijët pranë Linjës Kombëtare për Internet të Sigurt për Fëmijët në Shqipëri “iSIGURT.AL / ALO 116-111” në koordinim të ngushtë me Policinë e Shtetit, AKCESK dhe Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve.

3. Organizimin e përbashkët të:

a. Fushatave dhe nismave kombëtare për informimin dhe edukimin e fëmijëve, adoleshentëve, prindërve, zyrtarëve publikë dhe publikut të gjerë.

b. Sesioneve informuese dhe trajnuese për punonjësit e policisë së shtetit, të mbrojtjes së fëmijëve, mësuesit, fëmijët dhe prindërit, për sigurinë dhe mbrojtjen nga dhuna të fëmijëve.

c. Samitit Kombëtar për Sigurinë në Internet të Fëmijëve në Shkurt 2024, për të vlerësuar arritjet dhe adresuar shqetësimet, në bashkëpunim me industrinë e internetit.

4. Përmirësimin e legjislacionit, politikave, planeve të veprimit, standardeve dhe protokolleve të punës, për institucionet, organizatat dhe sektorit të biznesit, për mbrojtjen më të mirë të fëmijëve.

5. Organizimin periodik të Tryezës Kombëtare dhe Rajonale (të Ballkanit Perëndimor) për të nxitur bashkëpunimin, shkëmbimin e informacionit, koordinimin dhe masat e përbashkëta.