zoom

Politikë

Nga koalicioni “bravo-brava” te audio-përgjimi i Veliajt/ Çfarë tha sot Meta

Në një konferencë për shtyp, presidenti i Republikës, Ilir Meta u ndal te disa nga pikat më të nxehta politike në vend.

”Inceneratorët po më censurojnë”, tha Meta gjatë fjalës së tij, teksa fill pas kësaj u ndal në skandalin e audio-përgjimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, saktësisht në sulmin ndaj mediave që u treguan kritike kundrejt gjuhës së përdorur prej kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

”Për shkak të censurës që vjen nga afera e inceneratorëve të mosreflektimit në media të shqetësimit të presidentit, të komunitetit të gazetarëve ndërkombëtarë, prandaj jam i detyruar ta lexoj këtë qëndrim dhe jam i detyruar t’u them qyetarëve që të ndjekin në FB dhe rrjete sociale, pasi nuk është fakt i panjohur, që censura po mbretëron kudo dhe kjo është në dëm të interesit të qytetarëve dhe publikut. Ne do ta thyejmë censurën me të gjitha mjetet. Solidarizohem me shqetësimin serioz të komunitetit të gazetarëve të pavarur, vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe dënoj me ashpërsi sulmet kibernetike dhe presionet e gjithëanshme ndaj disa mediave online kritike me Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Ky model i neveritshëm i dhunimit të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së medias, që synon vendosjen e tyre nën kontroll nëpërmjet presionit, dhunës e shantazhit, në shkelje flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe Konventave ku aderon vendi ynë, meriton nga drejtësia një përgjigje të qartë dhe të menjëhershme ligjore.

Duke sjellë në vëmendje regresin vit pas viti të Shqipërisë në raport me lirinë e medias, pa garantimin e së cilës nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, i ftoj organizatat më prestigjoze botërore e europiane të gazetarëve të mbështesin kolegët e pavarur dhe kurajozë shqiptarë, të cilët si gjithmonë do të më kenë në krah në përpjekjet e përbashkëta për demokratizimin dhe europianizimin e plotë të vendit.

Dhunimi në rritje i lirisë së mediave ka ndihmuar në rritjen dramatike të korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Të gjithë të bashkohemi për lirinë e medias dhe të refuzojmë orkestruesit e dhunës dhe censurës!”-tha Meta.

Më tej, kreu i shtetit u pyet nëse do të ketë një bashkëpunim mes LSI-së dhe Sali Berishës në zgjedhjet e 6 marsit. Presidenti theksoi se aleati i tij i vetëm është “populli i 2 marsit”, ndërsa tha se në garë do të jetë pas një viti kur edhe do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme lokale.

Po kështu ai paralajmëroi Ramën dhe Bashën për atë që e cilësoi si koalicioni “bravo-brava”.

“Aleati im i vetëm populli i 2 marsit, me mimoza, i mrekullueshëm, qytetar, dinjitoz. Sikur janë shtuar pjesëmarrësit, por nuk është ky problemi. Ka një spekulim, për t shmangur vëmendjen nga të gjitha çështjet. Edhe juristi i vitit të parë po ta hetonte do t’i kishte dhënë një goditje fatale korrupsionit në Shqipëri. shoh një dëshirë të madhe për të më përfshirë në një garë ose për të më paraqitur si të përfshirë në gara të mëparshme. Unë nuk kam mundësi as të votoj në këto zgjedhje sepse i takoj bashkinë së Tiranës. Por, si çdo marrë fund koha e gallatave me borxhet për të blerë profesionalizmin tuaj përmes presioneve që vijnë ndaj pronarëve. Ajo gjuhë që përdoret për të blerë ishullin e vetëm është gjuhë e përditshme ndaj pronarëve.

Kështu do të përfundojë edhe koha e ndeshjeve të shitura pa filluar. Nuk kam marrë pjesë në ndonjë garë. Kam qenë në garë për të mbrojtur kushtetutën. Por meqenëse duan të më përfshijnë me pahir, po i paralajmëroj qetësisht se janë shqetësuar që kam recituar poezi. Unë do të marr pjesë në gara, të bëhen gati se pas ballafaqimit të parë që do të jetë më e largëta në një vit që janë zgjedhjet e përgjithshme vendore, koalicioni bravo-brava që ka 8 vite që qeveris Shqipërinë, natyrisht do ti recitoj poezi që e ka bërë vetë shefi i këtij koalicioni, “ina-ina” pas zgjedhjeve dhe garës së parë”, tha Meta.

Duke u përqendruar te situata e nivelit të borxhit në vend, për të cilin thirri edhe konferencën, Meta tha se koha e gallatës duhet të përfundojë.

“Duhet të gjithë të marrin seriozisht çështjen e situatës me borxhin. Mos bëjnë sikur nuk kurojnë edhe faktorët që pretendojnë se janë në opozitë. Është e vërtet që një grup i qeverisë që ka kapur shtetin, edhe në interes të një numri oligarkësh që përfitojnë shumë. Por është një dramë në rritje për shumicën e shqiptarëve. Shikoji këto tregues me qetësi. Duhet të thellohemi të gjithë sepse është borxhi ynë. Që të mos përfundojmë si ndonjë vend tjetër.

Këto tregues janë një kambanë e fortë alarmi. Tregojnë qartë se jemi në një situatë kritike ekonomike. Të heqim dorë nga gallatat me ekonominë, aq më tepër me borxhet. Është edhe Japonia që e ka borxhin shumë herë më të madh, por treguesit e Japonisë janë të tjerë dhe investitorët luftojnë për ta blerë borxhin e Japonisë me shumë dëshirë. Koha e gallatës me taksat e qytetarëve duhet të marrin fund”, u shpreh ndër të tjera presidenti.