zoom

Ekonomi

Nafta, më e lirë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut! Po te ne pse nuk ulen çmimet?

Bordi i Transparencës, që u ngrit në shkelje të ekonomisë së lirë të tregut për të kontrolluar çmimet e karburanteve dhe për t’i mbajtur ato në nivele të përballueshme për qytetarët, u shfuqizua.

Por pavarësisht kësaj, çmimet e karburanteve në Shqipëri vijojnë të jenë më të shtrenjtat, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Çmimet e naftës në vendin tonë kanë mbetur thuajse të pandryshuara dhe nga një pikë e karburantit në tjetrën, luhaten nga 179 lekë/litër deri në 182 lekë/litër.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Kosovën, ku qytetarët paguajnë 1 euro e 24 cent për naftën, ndërsa për benzinën 1 euro e 31 cent.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë as për Maqedoninë e Veriut, ku nafta kushton deri në 121 lekë/litër, ndërsa benzina deri në 135 lekë/litër.

Shqetësimin për këtë diferencë në çmime mes vendit tonë dhe dy shteteve fqinje e ka ngritur edhe nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili.

“Maqedonia duket një parajsë, ndërsa në të kundërt, Shqipëria një ferr i vërtetë.
Në Maqedoni ka një qeveri të përgjegjshme, ndërsa në Shqipëri ka një qeveri peng të monopoleve dhe oligarkëve. Ky është realiteti dhe kuptohet shumë lehtë se si grabiten për çdo ditë shqiptarët e lënë jetim nga qeveria e tyre”, u shpreh Vasili në “Facebook”.

Sot nafta në bursa ka rënë në 74 dollarë për fuçi, një çmim ndjeshëm më i lirë se ai i mbi 100 dollarë për fuçi, që u shënua në vitin 2022, kur ishte kulmi i krizës.

Kur nafta në bursa arriti në këto rekorde dhe u reflektua edhe në tregun tonë, bizneset në vend nxituan të rrisin çmimet edhe për produktet e tjera, qoftë edhe mallrat e shportës, me argumentin se ishin shtrenjtuar karburantet dhe po paguanin më shumë për lëndën e parë.

Por sot që kemi një situatë krejt ndryshe, pse nuk ulen çmimet?

Të njëjtën pyetje bënte pak javë më parë në Parlament edhe deputeti socialist Erion Braçe.

“Kam një pyetje për ata që na ndjekin dhe bëjnë pazar. A keni verifikuar që çmimi i vajti të ketë rënë me 43.8%. Keni verifikuar që çmimi i bukës të bjerë me aq për qind sa ka rënë çmimi i drithit në tregjet ndërkombëtare, për sa kohë jemi importues. Keni verifikuar që të gjitha çmimet e tjera të fabrikuara të kenë rënë me kaq përqind? Jo! Atëherë unë mendoj se më e rëndësishme sesa të shahemi dhe të shpifim këtu, e të tregojmë me gisht gjithsecilin, është të bëjmë ekonominë funksionale. Të bëjmë tregjet të funksionojnë. Sepse ata që janë atje matanë kanë nevojë të ushqehen me cilësi, e me të lirë. E sa kohë çmimet në tregjet ndërkombëtare po bien po kaq e rëndësishme është që ato të reflektohen në çmimet me të cilat qytetarët e këtij vendi blejnë produktet e tyre për t’u ushqyer në harkun e një muaji”, tha Erion Braçe.

Edhe indeksi i çmimeve të drithërave të FAO-s ra me 5.6% nga muaji në muaj, ku në mars gruri regjistroi një rënie prej 7.1%, misri një rënie prej 4.6% dhe orizi u ul me 3.2%.

Vajrat vegjetale ranë 3.0%, rreth 47.7% më poshtë nivelit në mars 2022, ndërsa indeksi i qumështit ra me 0.8%.

Po në Shqipëri pse nuk ulen çmimet?