zoom

Aktualitet

Mori dy kërcënime, gjyqtarja Arnisa Këlliçi akuzon prokurorin Adriano Dyrmishi: Ishte në zyrën time

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Arnisa Këlliçi ka ngritur kallëzim penal në Prokurori pasi ka marrë dy kërcënime.

Në kërkesën drejtuar Prokurorisë së Tiranës, gjykatësja ka hedhur akuza se një prej kërcënimeve ka ardhur nga Prokurori pranë këtij institucioni, Adriano Dyrmishi.

Sipas saj, kërcënimi nga Prokurori Dyrmishi ka ardhur indirekt nëpërmjet Kancelarit të Gjykatës.

“Po ashtu, pas identifikimit nga hetimet e deritanishme të datës se kur letra kërcënuese e ardhur kundrejt meje është përcjellë në zyrën time, kam bërë me dije se Prokurori ka qenë pikërisht në atë datë në zyrën time”, thekson gjyqtarja.

Arnisa Këlliçi ka kërkuar që Prokuroria e Tiranës të shpallë moskompetencën dhe të dërgojë aktet në një Prokurori të ndryshme më të afërt.

“Duke patur parasysh këtë fakt, si dhe në kushtet kur jam gjyqtare e po së njëjtës Gjykatë, në bazë të neneve 78 e 84 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj deklarimin e mungesës së kompetencës së Prokurorisë suaj dhe dërgimin e akteve një Prokurorie të ndryshme më të afërt”, shkruan ajo.

Kërkesa drejtuar Prokurorisë së Tiranës:

Tiranë, më 26.01.2024.

Drejtuar:

Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë Prokurore Deniona Katro,

Unë gjyqtare Arnisa Këlliçi, kam depozituar kallëzim në lidhje me dy kërcënime të kryera kundrejt meje.

Sot më datë 26.01.2024, në deklarimet e dhëna përpara jush si Prokurore dhe OPGJ-së, kam bërë me dije se dyshoj që njëri prej kërcënimeve ka ardhur indirekt (nëpërmjet Kancelarit të Gjykatës) nga Prokurori Adriano Dyrmishi, i cili ushtron detyrën pranë Prokurorisë suaj.

Po ashtu, pas identifikimit nga hetimet e deritanishme të datës se kur letra kërcënuese e ardhur kundrejt meje është përcjellë në zyrën time, kam bërë me dije se Prokurori ka qenë pikërisht në atë datë në zyrën time.

Duke patur parasysh këtë fakt, si dhe në kushtet kur jam gjyqtare e po së njëjtës Gjykatë, në bazë të neneve 78 e 84 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj deklarimin e mungesës së kompetencës së Prokurorisë suaj dhe dërgimin e akteve një Prokurorie të ndryshme më të afërt.

Me vlerësim për punën tuaj të deritanishme dhe me konsideratë,

Gjyqtare Arnisa Këlliçi

Kërkesa për mbrotje të posaçme

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, pasi mori letër kërcënimi me jetë kërkoi mbrojtje të posaçme nga KLGJ më 20 Janar.

Këtë gjë e bëri të ditur vetë gjyqtarja në një letër drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ajo shprehej se para pak ditësh është kërcënuar me jetë.

Magjistratja shprehek se në letrën që ka marrë ka kërcënime për të, fëmijët e saj dhe familjen.

Zanafilla duket se lidhet me një kallëzim që kancelari i Gjykatës së Tiranës ka bërë në Prokurori, për një prokuror.

“Të nderuar! Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Amisa Këlliçi, ka pasur një kërcënim me jetë.

Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time.

Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre. Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme”, shkruante gjyqtarja në letrën drejtuar KLGJ.

Përmbajtja e letrës kërcënuese

Në letrën anonime që ka mbërritur në vendin e saj të punës shkruhej: “E dashur Arnisa. Keni dy fëmijë ….. dhe ….. Mendoni për ta! Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e vërtetë. Me respekt.”

Ende nuk dihet kush qëndron pas letrës dhe arsyeja përse po kërcënohet gjyqtarja e Tiranës.